Kryeministri Kurti për Masakrën e Reçakut: Mohimi i gjenocidit është faza e fundit e gjenocidit
Në 23-vjetorin e Masakrës së Reçakut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se krimi në Reçak ka kumbuar në gjithë botën.
Kurti ka shtuar se historia e Kosovës së pavarur nuk mund të shkruhet pa Reçakun dhe vendet tjera ku janë kryer krimet serbe mbi shqiptarët.
“Kujtesa jonë është e prekur përjetësisht sepse pamjet na e dhanë të gjallë tmerrin e tyre, tmerrin që kanë jetuar njerëzit tuaj, njerëzit tanë. Nëse nuk tronditemi sot diçka nuk shkon mirë në ndërgjegjet tona. Historia e Kosovës së pavarur nuk mund të shkruhet pa Reçakun”, tha ai.
Kryeministri ka theksuar historia nuk mund të harrohet dhe as të rishkruhet.
“Mohimi i gjenocidit përpiqet të riformësojë historinë, në mënyrë që të demonizojë viktimat dhe të rehabilitojë autotorët. Mohimi i gjenocidit është faza e fundit e gjenocidit. Ne jemi kundër hakmarrjes, ne duam drejtësi dhe refuzojmë të harrojmë”, tha ai.
23 vite që kur forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën nga masakrat më të dhimbshme kundër njerëzimit në Reçak, por përkundër kohës së gjatë që ka kaluar, deri më tani asnjë person nuk është gjetur përgjegjës për këtë krim makabër mbi popullatën e pafajshme civile shqiptare.
Njeriu i parë i cili e kishte cilësuar masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit, kishte qenë kreu i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së, ambasadori William Walker.
Walker kreu i atëhershëm i misionit vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, i kishte dokumentuar krimet e kryera në këtë fshat dhe i njëjti e kishte alarmuar botën për krimin që po ndodhte mbi popullatën e pafajshme civile në Kosovë.
Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe në Kosovë vranë 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak në Komunën e Shtimes.
Ngjarja e Reçakut u pasua nga bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë si dhe në Serbi.
Hetimet për masakrën e Reçakut i ka marrë përsipër Prokuroria Speciale e Kosovës.
Në anën tjetër, Serbia i ka mohuar krimet e kryera në Reçak, duke e quajtur trillim masakrën.
Rruga Press