Filmi “Bolero në vilën e pleqve”, nominuar në pesë kategori në “East Europe International Film Festival”, në Varshavë
Filmi “Bolero në vilën e pleqve” me regji Spartak Pecani konkurron në festivalin e filmit në Varshavë, Poloni. Filmi me skenar nga Linda Fejzaj dhe Spartak Pacani, është nominuar në pesë kategori në “East Europe International Film Festival”. Festivali këtë vit për shkak të pandemisë zhvillohet online, nisi më 14 dhjetor për të përfunduar më datë 19 të këtij muaji. Nominimet e filmit janë: Filmi më i mirë Spartak Pecani dhe Agim Halili; skenari më i mirë Linda Fejzaj; aktorja më e mirë Margarita Xhepa; aktorja më e mirë në kategorinë e të rinjve Gentiana Ramadani dhe makeup Besa Islami. Filmi me regji nga Spartak Pecani dhe në role aktorë të njohur është prodhim i shtëpisë kinematografike “Eclipse SA Film”.Në rolet e filmit përmendim aktorët Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, Gentiana Ramadani, Olta Daku, Olta Gixhari, Merita Dabulla, Afrim Muçaj apo Ledjon Zoi. Muzika e filmit që po shëtiti në festivale ndërkombëtare është nga Endri Sina dhe kostumografia e Gerta Oparakut. Bashkëskenariste në film Linda Fejzaj thotë se detyra e një projekti nuk është të mbetet brenda kufijve të vendit të origjinës, por të kërkojë dhe gjejë hapësira edhe në botë. “Pavarësisht vështirësive të këtij viti të mbrapshtë, pjesëmarrja në festival është si një dritë jeshile që motivon vazhdimësinë, një projekti që merr vëmendjen dhe vlerësimin në botë është një hap i mirë jo vetëm për ekipin, jo vetëm për projektin, por më shumë për Shqipërinë. Në këto kushte them se pjesëmarrja jonë ka avancuar jo vetëm në detyrën e bërë mirë, por edhe si një vlerë e shtuar”, tregon Fezjaj për filmin “Bolero në vilën e pleqve”. Si bashkëskenariste me regjisorin Pecani, Fejzaj tregon se jo vetëm është me fat, por edhe e vlerësuar. “Kjo për faktin e vazhdimësisë edhe të projektit në vijimësi sërish me z. Pecani, ku gjej rastin të them me zë të lartë: “Faleminderit që më zgjodhe mua z.Pecani”. Thonë se është e rëndësishme pjesëmarrja, me shpirt dëshirojmë fitoret, por le të shpresojmë”, shprehet mes të tjerave bashkëskenaristja Lindja Fejzaj.
Filmi, art kolektiv
Duke folur për kinematografinë, bashkëskenaristja Linda Fejzaj vijon më tej se regjisori Pecani në punën e tij ka ditur të zgjedhë temën e filmit, që është interesante. Sipas saj, subjekti i filmit “Bolero në vilën e pleqve” në çdo cep të globit mund të gjej vetveten. “Përherë e them se filmi është art kolektiv dhe si i tillë është sukses i përbashkët. Spartak Pecani ka ditur të zgjedhë, tema e prekur është shumë interesante, dashuria e moshës së tretë një dashuri e pavdekshme, që duket se i bashkangjitet përsosmërisht elementi i spikatur “Bolero” krijuar enkas për dashurinë. Interesante është se ngjarjet dhe lidhjet vijnë aq natyrshëm dhe zbërthejnë karakteret, jetët. Ky është një subjekt që në çdo cep të globit mund të gjejë vetveten”, thotë më tej Fejzaj. Në qendër të filmit “Bolero në vilën e pleqve” është një çift pleqsh që janë të detyruar të jetojnë të vetëm në fundin e jetës së tyre edhe pse kanë tre fëmijë. Biri i tyre u siguron një punëtore shtëpie, në dukje një vajzë e qetë dhe e përkushtuar ardhur nga s’dinë se ku, por vajza e pleqve që në impaktin e parë duket se nuk e pëlqen aspak mysafiren e re në shtëpinë e prindërve, kjo do të bëjë që ajo të shko përtej pyetjeve të drejtpërdrejta, duke bërë që të zhbirojë mbi jetën e saj nga ku mëson se me kë ka të bëjë. Punëtorja që jeton në vilë ka një të kaluar të errët për mendimin e vajzës së pleqve, për më tepër edhe prirjet e saj janë në kundërshti me parimet dhe principet që ajo ka. Filmi përcjell mënyrën e sotme të të jetuarit, si dhe dramën shqiptare që kalon në modernitet ku harresa është aq e dhimbshme sa edhe gjithë dramat e tjera dhe zhvillohet aty ku ka pamundësi të marrëdhënieve familjare. Gjatë gjithë kohës tingujt e pianos me “Bolero” e Ravelit janë bashkëshoqërues në vilë edhe në fundjetën e pleqve.