A të mbron Vitamina D nga infektimi me COVID-19? Ja çfarë thonë ekspertët britanikë
Nuk ka prova të mjaftueshme që dëshmojnë se marrja e vitaminës D mund të parandalojë ose të trajtojë koronavirusin. Në një rishikim të të dhënave, ekspertët britanikë zbuluan se nuk mund të përcaktohet marrëdhënia e drejtpërdrejtë mes vitaminës D dhe Covid, megjithatë qeveria britanike me këshilltarët e shëndetësisë bëjnë thirrje që qytetarët të vijojnë të marrin vitaminën që rrit imunitetin gjatë dimrit.
Studime të mëparshme në fakt kanë treguar se shumë njerëz që infektohen me koronavirus nuk kanë pasur vitaminë D të mjaftueshme në trupin e tyre, po ashtu edhe pacientët që janë sëmurë rëndë nga virusi.
Por deri më tani shkencëtarët nuk janë në gjendje të përcaktojnë nëse kjo mungesë vitamine lidhet ngushtë me gjasat e shtuara të sëmundjes.
Qeveria britanike ka këshilluar qytetarët të marrin 10 mikrogramë të vitaminës D çdo ditë, pasi vlerësohet se sjell përfitime shëndetësore për kockat, muskujt dhe sistemin imunitar.
Britanikët këshillohen edhe më shumë për shkak se nuk kanë marrë mjaftueshëm vitaminë D nga mungesa e rrezeve të diellit. Vitamina D shitet në çdo farmaci dhe mund të blihet fare lehtë.