Kosova në unitet të plotë: Opozita i bashkohet qëndrimit të Qeverisë kundër referendumit serb në Kosovë
Partia Demokratike e Kosovës konsideron se mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë është antikushtetuese dhe kjo do të përbënte shkelje flagrante të sovranitetit të Republikës së Kosovës, ka thënë kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se Qeveria duhet të bashkërendojë veprime me ndërkombëtarët për të ofruar zgjidhje të përshtatshme.
“Ka dallim esencial ndërmjet zgjedhjeve dhe referendumit, andaj është i papranueshem lejimi i votimit në Kosovë për referendumin e nje shteti fqinj. Qeveria duhet të bashkërendojë veprimet me partnerët ndërkombëtarë për të ofruar zgjidhje të përshtatshme, në pajtim me obligimet tona si shtet i pavarur dhe sovran”, ka thënë Krasniqi.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se LDK-ja e sheh të papranueshëm mbajtjen e çfarëdo referendumi të një shteti tjetër, në territorin e Kosovës. Abdixhiku përmes një statusi në Facebook ka thënë se presin mbështetjen dhe respektimin e normave që parasheh Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, e po ashtu praktikat ndërkombëtare.
“Lidhja Demokratike e Kosovës e sheh të papranueshëm mbajtjen e çfarëdo referendumi të një shteti tjetër në territorin e Republikës së Kosovës. Kushtetuta e Kosovës, ligjet e Kosovës dhe praktikat ndërkombëtare, janë të qarta në këtë drejtim. Prandaj ne presim dhe mbështesim respektimin e këtyre normave në plotni”, ka shkruar Abdixhiku.
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kundërshtuar mbajtjen e referendumit serb në Kosovë këtë të dielë, duke thënë se përpjekja e Serbisë në këtë drejtim është sulm mbi integritetin kushtetues të shtetit.
“Pretendimi i Serbisë që të organizojë referendum kushtetues në territorin e Kosovës është sulm flagrant mbi sovranitetin dhe integritetin kushtetues të Kosovës. Prandaj inkurajojmë dhe jemi në mbështetje të të gjithë atyre që e kundërshtojnë me forcë organizimin e këtij referendumi. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe në territorin e saj nuk mund të organizohen kurrfarë referendumesh të shteteve të tjera, e as referendumi i Serbisë, i cili pastër është përpjekje për ushtrimin e sovranitetit nacional të Serbisë mbi Kosovën”, thuhet në reagimin e AAK-së.
Reagimi i tyre vjen vetëm pak pasi vendet e QUINT-it kanë kërkuar të premten nga Qeveria e Kosovës që të lejojë të zhvillohet referendumi i Serbisë në Kosovë, për ratifikimin e ndryshimeve kushtetuese të këtij shteti.
Mirëpo Qeveria e Kosovës ka deklaruar se votimi për referendumin mund të zhvillohet vetëm në dy forma: nëpërmjet postës dhe nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Republikën e Kosovës, forma këto të cilat Serbia nuk i pranon.
Rruga Press