Krerët e shtetit – QUINT-it: Zbatoni standarde të njëjta me Kosovën si me shtetet e tjera
Krerët shtetërorë të Kosovës kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët pas takimit me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe atë të Bashkimit Evropian.
Aty thuhet se krerët, presidentja-kryeparlamentari-kryeministri, shprehën qartë se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në Kosovë përbën shkelje kushtetuese dhe të ligjeve të Kosovës.
“Përveç se u ritheksua se qytetarët serb të Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, pra nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse, institucionet bënë të qartë se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare”.
Për më tepër, një akt i tillë është shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës, thuhet më tej.
Institucionet i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që në raport me Kosovën të aplikohen standarde të njëjta sikurse me çdo shtet tjetër, meqë pavarësia e shtetit tonë jo vetëm që është njohur nga shumica e vendeve demokratike anekënd botës, por edhe është vulosur nga GJND-ja.
“Kushtetuta e Kosovës, ligjet e aplikueshme në Kosovë si dhe e drejta ndërkombëtare dhe praktika ndërkombëtare nuk e njohin të drejtën e një shteti për të realizuar referendum në territorin sovran të një shteti tjetër. Prandaj, praktikat e deritanishme të aplikuara që nga viti 2012, kanë qenë kundërkushtetuese, e si rrjedhojë nuk i obligojnë institucionet e tanishme të Republikës së Kosovës të dala nga vullneti i qartë i qytetarëve i shprehur më 14 shkurt 2021”.
Për më tepër, institucionet e Kosovës kanë theksuar se çështja nuk është roli i OSBE-së, por roli i Serbisë dhe strukturave të saj paralele e ilegale në Kosovë. “Sepse, para se OSBE-ja të bënte mbledhjen e votave, do të mbahej një proces tërësisht ilegal i hapjes së qendrave të votimit e kutive të votimit në territorin e Republikës së Kosovës për një referendum të një shteti tjetër, pra Serbisë, e ky proces do të organizohej nga strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë”, thuhet në komunikatë.
Sipas tyre, Serbia dëshiron ta shfrytëzojë referendumin si mjet të shtrimit të sovranitetit të saj mbi Kosovën.
“Rrjedhimisht, qëndrimi i institucioneve të Kosovës nuk ka fare të bëjë me OSBE-në, por me kundërshtimin e kësaj tendence të vazhdueshme të Serbisë, e cila dëshmon pretendime të qarta territoriale ndaj Kosovës”.
Osmani, Konjufca e Kurti i kanë bërë thirrje të gjitha shteteve demokratike që ta mbështesin Kosovën në përpjekjet e saj për t`i ndalur “veprimet e vazhdueshme të Serbisë që minojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe shtetësinë e Kosovës”.
“Për më tepër, kjo praktikë e Serbisë, që po e ndjekë modelin rus, ka mbështetjen e plotë të Federatës Ruse, duke dëshmuar kështu tendencat e tyre për destabilizim të shpejtë të rajonit tonë dhe zhbërjen e sukseseve që Kosova dhe rajoni i kanë arritur në partneritet me vendet mike demokratike”.
Mosmbajtja e referendumit serb në territorin sovran të Republikës së Kosovës, sipas krerëve të shtetit, është hap i duhur në betejën e përbashkët kundër autokracive dhe avancim i praktikave demokratike, “përkushtim të cilin Kosova e ka dhënë së fundi edhe në Samitin për Demokraci të organizuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Rruga Press