Arbër Xhekaj, ylli i ri shqiptar i hokeit në Kanada
Një emër i ri shqiptar ka filluar një karrierë të bujshme në fushën e akullit në Kanada, pikërisht në lojën e hokejt. Arbër Xhekaj, 20 vjeçari i lindur në qytetin e Hamiltonit, nga babai shqiptar, ka nënshkruar kontratë tr+-evjeçare me National Hockey League (NHL), liga kryesore e lojës së popullarizuar të hokejt në Kanada me njërin ndër ekipet më të njohura të Amerikës Veriore “Montreal Canadiens”. I njohur me nofka të ndryshme shkaku i mbiemrit të tij që fillon me “Xh”, Arbëri ka fituar zemrat e kanadezëve, por edhe komunitetit shqiptar me suksesin e arritur.
“Montreal Canadiens patën një ngjarje vërtet të mirë që doli nga kampi i tyre stërvitor. Arbër Xhekaj ishte një lojëtar për të cilin mund të themi me siguri se asnjë tifoz i ekipit nuk kishte dëgjuar para se të mbërrinte në kampin fillestar të skuadrës në vjeshtë. Të paktën, askush nuk mund ta shqiptonte mbiemrin e tij ose të mbante mend si ta shqiptonte, edhe sikur ta kishte parë”- shkruan me entuaziazëm portali sportiv Fansided. “Ky ishte Arbër Xhekaj një emër kaq i panjohur për fansat e ekipit të Montrealit kur e panë për herë të parë në kampin e stërvitjeve. Tani, Xhekaj është një emër që do të mësohemi ta shohim, sepse ai duhet të jetë në organizatën Montreal Canadiens për një kohë të gjatë”- konkludon portali sportiv.
Në një artikull të gjatë për gazetën “The Kitchener Record” gazetari sportiv Josh Brown që e ka titulluar “Evolucioni i Arbër Xhekajt” flet edhe për prejardhjen e tij. “Babai i tij, Jack, është shqiptar dhe vjen nga Kosova. Ai erdhi në Kanada si refugjat në vitin 1994, fillimisht duke jetuar në Salvation Army në Toronto përpara se të transferohej në Hamilton dhe të gjente punë në National Steel Car, prodhuesi më i madh në vend i mjeteve lëvizëse. Nëna e tij, Simona, është çeke dhe u largua nga vendlindja e saj, Hradec Kralove dy vjet më vonë”.
Xhekaj u inkuadrua shkëlqyeshëm në kampin e fillestarëve, ku pas kësaj paraqitjeje atij iu kërkua të merrte pjesë në kampin kryesor të ekipit dhe ai performoi mirë edhe atje.
Ai luajti për herë të fundit në sezonin 2019-20, kur shënoi gjashtë gola dhe 17 pikë në 51 ndeshje.
Këtë sezon që po e lëmë pas, Xhekaj ka shënuar 6 gola dhe 11 asistime për 17 pikë në 18 ndeshje.
Në Kanada për vite të tëra kishte bërë famë edhe një shqiptar tjetër, Tahir (Tie) Domi, i cili mbetet ndër emrat më të mëdhenj të hokeistëve të këtij shteti.
Rruga Press