Blinken: Rrjedha Veriore 2, një projekt gjeopolitik rus
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se gazsjellësi Rrjedha Veriore 2, është një projekt gjeopolitik rus që minon sigurinë e Ukrainës.
Gazsjellësi do të rrisë eksportet e gazit rus në Gjermani.
Ai këto komente i bëri gjatë një konference për media të mërkurën (23 qershor) në Berlin së bashku me homologun e tij gjerman, Heiko Maas.
Shtetet e Bashkuara, sipas Blinkenit, duan të sigurohen se Rusia nuk po e përdorë energjinë si një mjet ndikimi ndaj ndonjë shteti evropian.
Uashingtoni është kundër ndërtimit të gazsjellësit Rrjedha Veriore 2 përmes së cilit do të dyfishohej eksporti i gazit rus përmes Detit Baltik.
Projekti është 95 për qind i përfunduar dhe i mundëson Rusisë që të kufizojë eksportet e gazit përmes Ukrainës, pasi pamundëson që Kievi të mbledhë tarifat e tranzitit.
Gjermania ka thënë se kjo është një çështje e brendshme dhe se do t’i shkojë deri në fund projektit.
Ministri i Jashtëm gjerman, Maas tha se Berlini dëshiron një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët.
“Ne i dimë qëndrimet e Uashingtonit. Është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne që të arrijmë rezultate të cilat do të kenë mbështetjen edhe të Uashingtonit”, tha Maas./REL