“Dhunimi i papranueshëm”, reagon ashpër Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve
Në kuadër të reagimeve për mbrojtjen e gazetarëve të dhunuar nga efektivët e policisë përgjatë protestave të fundit në vendin tonë, ka ardhur edhe reagimi nga Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve.
Në një shkrim të gjatë ku shpjegonin të gjithë ngjarjen se çfarë ka ndodhur këto ditë, IFJ kanë dënuar rëndë dhunimin dhe shoqërimin me forcë nga policia të gazetarit të RTV Ora Xhoi Malësia, kryeredaktorit të Koha Jonë Qamil Xhani, një gazetari lokal nga ‘Syri TV’, Aldo Mustafa dhe redaktorit së agjencisë së lajmeve “DurrësLajm”, Shefqet Duka.
Në artikullin e IFJ këto raste nuk konsiderohen të izoluara në Shqipëri, ku sipas tyre, gazetarët shpesh mbahen të ndaluar nga policia, edhe ku identifikohen si punonjës të medias.
Sekretari i Përgjithshëm i IFJ, Anthony Bellanger, tha se “ Këto veprime të përsëritura dhune dhe kërcënime të policisë shqiptare ndaj gazetarëve janë të papranueshme në një demokraci. Qeveria duhet të hetojë këto sulme dhe të kërkojë përgjegjësi nga autorët e krimeve. “
Më herët këto ngjarje i dënoi edhe Kie, duke i cilësuar shkelje të të drejtave të njeriut.
Rruga Press