Teatri me policin e plagosur/ Ardi Veliu shfaqet duke e mbajtur për krahu në Rinas
![](https://www.rrugapress.al/wp-content/uploads/Desktop55-1024x576-1.jpg)
Gjatë protestave për Klodian Rashën, një polic u plagos në sy gjatë përplasjes me të rinjtë. Efektivi është nisur drejt spitaleve të Turqisë për një ndërhyrje të specializuar.
Por për ta shitur plagosjen e policit në publik, si një gjëmë të shkaktuar nga ata që qeveria i quan “halabakët” e protestave, është inskenuar edhe një ceremoni për përcjelljen e tij në aeroportin e Rinasit.
![](https://www.rrugapress.al/wp-content/uploads/131668508_1121969144925801_6238465073299764488_n-1.jpg)
Në pamjet e mundësuara nga fotografi i posaçëm i ceremonisë, shfaqet Drejtori i Policisë Ardi Veliu që mban nga krahët policin dhe e shoqëron atë drejt avionit. është edhe Ogerta Manastirliu që i shtrëngon duart me një mirënjohje teatrale në fytyrë dhe më pas të dy bashkë e përshëndesin të mallëngjyer teksa ai niset drejt Turqisë.
![](https://www.rrugapress.al/wp-content/uploads/131334455_1121967061592676_1897532622784698544_o-1-1024x683.jpg)
Sikur kjo të ishte hera e parë që organizohen inskenime të tilla banale, edhe mund të hahej, por e gjitha është në vazhdën e propagandës që synon të japë pasojat e “huliganizmin” apo “halabakërinë” e protestuesve që për 5 netë me radhë shfrynë mllefin ndaj vrasjes së një 25 vjeçari të pafajshëm dhe ndaj një policie që dhunën ndaj të rinjve e shndërroi në normalitet.
Sa për Veliun dhe Manastirliun, i pari duhej të kishte marrë masa të mos i nxirrte policët të pambrojtur përballë turmës së protestuesve, siç ndodhi në netët e para pas vrasjes së Klodian Rashës, ndërsa e dyta, mund të jetë e vetmja Ministre Shëndetësie që përcjell të sëmurët për trajtim në spitalet e huaja dhe në çdo rast i fut një vështrim prekës në Rinas./lapsi.al/
![](https://www.rrugapress.al/wp-content/uploads/131459173_1121969571592425_2848984943238160398_o-1-1024x848.jpg)