Protesta e 8 Janarit! Prokuroria thërret sot Berishën, Basha pyetet nesër
TIRANË– Ish-kryeministri Sali Berisha është thirrur ditën e sotme në Prokurorinë e Tiranës për t’u marrë në pyetje për protestën e thirrur prej tij më 8 janar. Së bashku me deputetin Flamur Noka, Berisha do të pyetet për ngjarjet e ndodhura më 8 Janar në selinë e Partisë Demokratike. Nesër, në Prokurorinë e Tiranës do të paraqitet Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi.
Bardhi, bashkë me Nokën është nën hetim, por për vepra të ndryshme penale. Ndërsa mbi Bashën e Berishën, hetuesit nuk kanë ngritur asnjë akuzë.
Çfarë ndodhi mes palëve më 8 Janar?
Më 8 Janar në selinë e PD, ndodhi një situatë e paprecedentë me dhunë e të lënduar, ku për më shumë se 3 orë pati përplasje mes mbështetësve të Berishës me ata të Bashës që ishin brenda godinës. Megjithatë protestuesit u larguan me mbërritjen e rreshtimin e Policisë së Shtetit në oborrin e PD-së, ku edhe nisën menjëherë veprimet për hetim.
Për disa orë, selia e PD ishte e mbushur me efektivë policie dhe hetues, ndërkohë që Basha akuzoi ish-kryeministrin Berisha për të gjitha sulmet dhe trazirat e shkaktuara. 34 persona u vunë në pranga, 18 të tjerë janë nën hetim në gjendje të lirë për ngjarjet e ndodhura në Selinë e Partisë Demokratike, por sot edhe të arrestuarit janë liruar nga Gjykata.
Rruga Press

