BallinaLajme

Indeksi Global i Njohurive/ Shqipëria në vendin e 61, dobët me arsimin e lartë dhe teknologjinë

Shqipëria renditet në vendin e 61 mes 138 shteteve në Indeksin Global të Njohurive. Në raport jepen pikat më të forta dhe më të dobëta të vendit si dhe renditje specifike sektoriale ku më dobët paraqitet pjesa e arsimit të lartë dhe teknologjia. Kjo në fakt nuk përbën surprizë pasi edhe më herët raport të tjerë kanë nënvizuar një qasje ende modeste të Shqipërisë në këtë aspekt. Në dy raportet e ngjashme të publikuara më herët, Shqipëria ishte e renditur në vendin e 67 dhe vihet re të ketë bërë një progres në numra por kjo nuk kuptohet nëse vjen si efekt i përmirësimit të saj apo përkeqësimit të vendeve të tjera.

Indeksi Global i Njohurive 2020 thekson se vendi ynë është një performues “i moderuar” në terma të njohurive dhe infrastrukturës. Gjithsesi është vendi i 9 mes 36 të tjerëve që kanë zhvillim të lartë njerëzor. Pikat e forta sipas raportit janë rregulloret përcaktuese të punës, ndikimet e rregullave të biznesit në Investimet e Huaja direkte, printime dhe prodhues të publikimeve, hyrjet neto nga Investimet e Huaja direkte dhe prevalence e barrierave jo tarifore.

Lexo më shumë  Kurti takon arkitektin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Andrija Mutnjakoviq

Sa i takon pikave që sipas raportit ka nevojë për përmirësim së pari është pavarësia e gjyqësorit, publikime më të mira shkencore, importe më të larta neto të teknologjisë së lartë (në raport me përqindjen e tregtisë), universitete të renditura globalisht si dhe regjistrimi në universitete të renditura globalisht (% e studentëve në shkolla të larta). I njëjti raport bën një renditje të vendeve sa i takon edukimit duke marrë në analizë të gjithë hallkat si dhe disa sektorë të lidhur me të.

Kështu në edukimin parauniversitar Shqipëria renditet në vendin e 58 ndërkohë që në aspektin e trajnimeve dhe edukimit teknik në vendin e 51. Në arsimin e lartë Shqipëria zbret disa shkallë duke rënë në vendin e 77 për tu përkeqësuar edhe më tej tek informacioni dhe teknologjia e komunikimit në vendin e 78. Tek ekonomia vendi ynë regjistron pozicionimin 77 kurse në kërkim dhe inovacion të 63-in. Panorama për rajonin tregon se vendi me performancën më të mirë në këtë Indeks është Serbia që renditet në vendin e 48. Më pas vjen Kroacia në vendin e 49, Greqia në vendin e 59 dhe më pas Maqedonia e Veriut e 77-a dhe Bosnjë Hercegovina 95.

Indeksi Global i Njohurive, është një publikim që mbështetet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Fondacioni Mohammed bin Rashid Al Maktoum Knowledge Foundation./ Monitor/

YouTube player