Albin Kurti: Revolta për vrasjen e Klodian Rashës flet qartë, s’bashkëjetohet më me këtë sistem politik dhe ekonomik të korruptuar
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje! në Kosovë, Albin Kurti ka bërë një reagim lidhur me vrasjen e Klodian Rashës në Shqipëri nga forcat e policisë. Z. Kurti thekson se revolta është e qartë dhe kërkon largimin e kësaj klase politike të korruptuar.
Më poshtë deklarata e plotë:
Ngushëllime familjes e shoqërisë, dhe mbarë të rinjve shqiptarë, për Klodian Rashën, 25 vjeçarin të cilit ia morën jetën në rrugicën pranë shtëpisë së tij.
I kam ndjekur me vëmendje nga mediat protestat dhe e kam ndjerë edhe në Prishtinë revoltën e të rinjve në Tiranë e qytete të tjera të Shqipërisë. Thirrja “Drejtësi për Klodianin” ka bërë jehonë kudo mes shqiptarëve.
Ata që janë në majë të pushtetit politik e shtetëror, biznesor e mediatik, tash e kanë momentin e fundit që të kuptojnë se shumëçka që është bërë gabim deri më sot, ka prodhuar zhgënjim të madh.
Janë zhgënjyer qytetarët tanë, rinia jonë, siç janë zhgënjyer edhe partnerët ndërkombëtarë që kanë interes në forcimin e shqiptarëve.
Revolta rinore mund të mos ketë patur fjalime të sofistikuara mirëpo ajo foli e po flet qartë. Bashkë me fenomenin tjetër, emigrimin masiv, këto revolta po japin mesazhin se shqiptarët nuk mund të bashkëjetojnë më me këtë lloj sistemi politik dhe ekonomik korruptiv, që shkakton padrejtësi, pabarazi e prapambetje.
Edhe në Kosovë jemi në të njëjtën pikë, por këtu ende nuk po shpërthen revolta, sepse është edhe një shpresë. Atë shpresë nuk do ta lëmë pa e bërë realitet.
Sigurisht, me angazhimin e shqiptarëve, e sidomos të rinjve, edhe në Shqipëri do të mundësohet rikthimi i shpresës, e ndryshimi i rrugës, larg korrupsionit dhe drejt zhvillimit. Shqipëria ka plot njerëz të ndershëm, të aftë e të palodhur, që u qan zemra për ta parë vendin e vet mirë, me demokraci e drejtësi. U duhet vetëm të nisin të organizohen e të strukturohen, për t’i kapërcyer pengesat e vjetra, dhe kam bindjen që shpejt do të ndodhë edhe ajo.
Drejtësi për Klodianin do të thotë drejtësi e demokraci e mirëfilltë për Shqipërinë.
https://m.facebook.com/albini2017/photos/a.229545544212004/1033241767175707/?type=3