BallinaLajme

“Gener 2” sërisht fiton tender nga qeveria! Kësaj rradhe për Sheshin e Flamurit.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) ka skualifikuar 3 operatorë që kanë dhënë ofertën më të ulët, para se të shpallte kompaninë “Gener 2” të biznesmenit Bashkim Ulaj fituese të tenderit me vlerë rreth 7 milionë euro për “rilindjen” e “Sheshit të Flamurit, në Vlorë.

Kompania fituese ka për detyrë që të kryejë rikualifikimin urban pranë qendrës së qytetit Vlorë, drejtimin e kullës së Sahatit, dhe Sheshi i Flamurit, për të cilën Fondi Shqiptar i Zhvillimit kishte vendosur në dispozicion një fond prej 919 milionë lekë të reja (pa TVSH).

Në një njoftim të shpallur së fundmi në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik, rezulton se në tender kanë marrë pjesë 7 operatorë ekonomikë.

Fituesi, “Gener 2” ka qenë në radhën e atyre konkurentëve që kanë paraqitur ofertat më të larta, me një vlerë prej më shumë se 698 milionë lekë të reja. E, megjithatë, në përfundim të procedurës, ajo është shpallur fituese.

Lexo më shumë  “The Guardian”: Dështimi i marrveshjes Meloni-Rama

Tenderi
Procedura tenderuese për “rilindjen” e qendrës së Vlorës është shpallur në javën e parë të Tetorit 2020 dhe autoritet prokurues ishte Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Në mbyllje të procedurave, rreth 2 muaj më vonë, e konkretisht në 11 Dhjetor 2020, Fondi Shqiptar i Zhvillimit njoftoi se në garë kishin marrë pjesë 7 konkurentë.

Njëri prej tyre, “Florida”, ishte skualifikuar menjëherë, pasi nuk kishte paraqitur ofertë ekonomike.

Ndër kompanitë e tjera pjesëmarrëse, renditja sipas vlerës së ofruar ishte e tillë:
1.Bashkimi i Operatorëve “Curri” dhe “Alba Konstruksion, me ofertë 542 052 437 lekë;
2.Bashkimi i Operatorëve “BE-IS” dhe “2T”, me ofertë ekonomike 638.648.099 lekë;
3. Operatori ekonomik “ALB–STAR, me ofertë 688 967 812 lekë;
4. Operatori ekonomik “GENER 2”, me ofertë 698.150.210 lekë;
5. Operatori ekonomik “FUSHA”, me ofertë 763 030 142 lekë;
6. Operatori “Alb-Building”, me ofertë ekonomike 725 201 821 lekë.

Lexo më shumë  Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut

Fituesi
Pasi janë hapur oferta, Komisioni përkatës në Fondin Shqiptar të Zhvillimit ka vendosur skualifikimin e 3 konkurentëve të renditur në krye të listës, sipas ofertës më të ulët ekonomike.

Referuar dokumentacionit zyrtar, rezulton se bashkimi i operatorëve “Curri & Alba Konstruksion”, bashkimi i operatorëve “Be-Is & 2T” dhe “Alb-Star” nuk plotësonin kriterin e punëve të ngjashme të suksesshme.

Po ashtu, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka vlerësuar se operatorët e skualifikuar nuk kanë numrin e nevojshëm të mjeteve dhe punonjësve, pasi ata janë përfshirë në projekte të tjera të prokuruara nga ky institucion.

Në përfundim, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka vendosur të shpallë fitues shoqërinë “Gener 2”, e cila tashmë do të duhet të “rilindë” Sheshin e Flamurit në Vlorë. Nga BoldNews.al

YouTube player