Hakerat sulmojnë Departamentin e Thesarit dhe Tregtisë në ShBA
Qeveria amerikane ka konfirmuar se të paktën dy nga departamentet e saj kanë rënë pre e sulmeve kibernetike që raportohet se mund të jenë kryer nga Rusia.
Hakerët mendohet se kanë komprometuar rrjetin informativ të Departamentit të Thesarit dhe atë të Tregtisë, dhe kanë siguruar korrespondencat e brendshme elektronike.
Përgjimi ka vazhduar për muaj me radhë duke shfrytëzuar një program spiunues të inkorporuar pa leje në platformën “SolarWinds” që përdoret për administrimin e rrjeteve informative.
Platforma përdoret edhe nga Pentagoni, Departamenti i Shtetit, Agjencia amerikane e Hapësirës, Departamenti i Drejtësisë dhe Presidenca.
Sulmi pretendohet se është pjesë e një fushate të gjerë e grupeve ruse që ka pasur në shënjestër edhe qeveri e korporata të tjera në Evropë, në Azi dhe në Lindjen e Mesme.
Situata serioze detyroi më 12 dhjetor edhe mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë.
Ndërsa mediat amerikane shohin Rusinë si aktorin e mundshëm shtetëror që ka rol në sulmin e fundit kibernetik, ambasada ruse në SHBA mohoi të dielën akuzat, duke shtuar se vendi nuk ka interes për veprimtaritë keqbërëse pasi ato nuk i ndihmojnë raportet ndërshtetërore.
Dyshojnë se grupi i hakerave është i lidhur me shërbimin inteligjent rus, dhe njihet me shkurtimin APT29 ose “Ariu i Qetë”.
I njëjti grup besohet se sulmoi Departamentin e Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë gjatë presidencës së Barak Obamas, bashkë me serverat e Partisë së tij Demokratike në zgjedhjet e vitit 2016.
Hetimet për këtë rast janë duke u zhvilluar nga Byroja Federale e Hetimit dhe agjenci tjera.