U dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, banorët e 4 pallateve në Laç: S’ka siguri
Familjet që banonin dy vite më parë në këto pallate kritikojnë punimet që po bëhen për rikonstruksionin e tyre. Ata duan të sqarohen nga bashkia e qytetit.
Banorët e 4 pallateve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 kanë shprehur pakënaqësi në lidhje me punimet që po bëhen për riparimin e tyre. Ata thanë për mediat se janë të shqetësuar për faktin se lidhja e hekurave nuk po bëhet në mënyrën e duhur. Ndër të tjera, këto familje duan të sqarohen nga bashkia e Laçit për rikonstruksionin e ndërtesave ku jetonin më shumë se dy vite më parë. Gjithashtu, ata hedhin dyshime për cilësinë e punimee që po bëhen.
“Të na sjellin specialist. A hyn ti në të?”, u shpreh një banor.
“Themelet nuk i kanë hapur tamam. Me këto themele nuk ka siguri”, deklaroi një tjetër qytetar që banon në njërin prej 4 pallateve.
“Erdhi firma dhe i thamë që nuk është lidhur hekuri. Hekuri i mirë, betoni i mirë, por lidhja e hekurit nuk ishte e mirë”, shtoi një tjetër familjar.
Dy qytetarë të tjerë shtojnë se i kanë bërë kërkesë kryetares së Bashkisë së Laçit që të marrin informacione për kryerjen e punimeve në pallatet në fjalë, por deri më sot nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
“Jemi ankuar dy herë tek bashkia. I kemi bërë letër kryetares. Kryetarja e bashkisë nuk e ka vendos ujin në zjarr a ka banorë këtu apo jo”, bëri me dije njëri prej banorëve që banon në njërin prej pallateve që po rikonstruktohen.
“Deri në këtë moment nuk ka ardhur asnjë njeri. I kërkojmë bashkisë për të na sqaruar për punimet, por nuk vjen njeri”, foli një tjetër qytetar.
Rruga Press