Kurti takon Hovenierin, flasin për bashkëpunim në sundim të ligjit e investime ekonomike
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, takim ky pas së cilit u theksua nevoja për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve.
I pari i Qeverisë tha se ambasadori i ri e njeh Kosovën dhe popullin e tij, andaj pret bashkëpunim të ngushtë dhe thellim të aleancës me ShBA-në në fusha si demokracia, sundimi i ligjit, qeverisja e mirë, investime në ekonomi deri te mbrojtja dhe siguria, paqja dhe stabiliteti afatgjatë.
“Ambasadori i ri e njeh shumë mirë rajonin tonë, Kosovën, popullin dhe historinë tonë. Andaj në javët, muajt dhe vitet në vijim pres të kemi bashkëpunim të ngushtë për marrëdhënien sa më të mira ndërmjet Kosovë dhe SHBA-së në mënyrë që të zgjerojmë dhe të thellojmë aleancën tonë e cila është në shumë fusha prej demokracisë, sundimin të ligjit, qeverisjes së mirë, investime ekonomi dhe deri te mbrojtja dhe siguria, paqes dhe stabilitetit afatgjatë”, tha Kurti.
Ndërsa, ambasadori Hovenier, derisa thotë se SHBA-ja çmon marrëdhëniet me Kosovën, theksoi pritjet e tij për thellim të bashkëpunimit me këtë vend.
“SHBA-ja çmon marrëdhënien që ka me Kosovën dhe unë e çmoj këtë marrëdhënie. Besoj se ne do të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me kryeministrin dhe qeverinë e tij për të vazhduar drejt rrugëtimit për një shtet i cili është demokratik, shumetnik dhe me prosperitet”, tha ai.
Mëngjesin e sotëm, ambasadori Hovenier dorëzoi letrat kredenciale te presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Rruga Press