Intervista e Kurtit për LeMonde: “Kur do të jetë Serbia e gatshme të njohë Kosovën?”
Presidenti Emanuel Makron pret kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti (në të djathtë), para një takimi në Elize në Paris, më 23 qershor 2021.
Përktheu nga origjinali: Rruga Press
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti kreu të mërkurën, më 23 qershor kreu vizitën e tij të parë në Francë. Kurti është një aktivist i krahut politik të guerrilës kosovare, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dhe gjatë kohës së luftës së Kosovës u mbajt i burgosur për dy vjet në Serbi. Më pas ai themeloi Lëvizjen Vetëvendosje, një lëvizje me program revolucionar, si dhe u bë një kundërshtar i rreptë i “qeverive” të njëpasnjëshme të ish-komandantëve të UÇK-së.
Albin Kurti paraqitet sot si një social-demokrat dhe është zgjedhur pas propozimit të një programi lufte kundër papunësisë, korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pas një qëndrimi të parë të shkurtër në postin e kryeministrit në vitin 2020, LËVIZJA VETËVENDOSJE! fitoi qartë zgjedhjet legjislative dhe mori kryesimin e qeverisë më 22 mars. Trembëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarsisë së Kosovës, prioriteti i tij diplomatik është arritja e njohjes nga ana e Serbisë, gjë që Beogradi e ka refuzuar gjithnjë.
Sapo jeni takuar për herë të parë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel. Cila është përshtypja juaj?
Është një takim i parë, për një dialog të ardhshëm. Nuk ishte një takim i lehtë, por ishte konstruktiv. Unë këmbëngula se nuk duhet të fshihemi pas gishtit, domethënë se duhet prekur me sinqeritet çështja e njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Kemi të gjithë nevojë për këtë njohje reciproke. Zoti Vuçiç u përgjigj se nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Mospranimi i realitetit nga njëra anë dhe i të vërtetës nga ana tjetër, tregon të njëjtën logjikë. Serbia duhet të distancohet tani nga epoka e Milosheviçit, i cili e filloi me një aparteid dhe e mbaroi me një gjenocid në Kosovë. Drejtuesit e Serbisë duhet të ndahen nga trashëgimia e Milosheviçit.
Kosova është e pavarur që prej trembëdhjetë vjetësh. Nuk mund të flasim më si para vitit 2008. Që prej vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në vitin 2010, e cila vlerësoi faktin se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur ligjin ndërkombëtar, ky debat është i mbyllur. Nuk do të diskutoj statutin e Kosovës, pasi kjo çështje ka marrë fund. Subjekti i vetëm sot është ai i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Vuçiç duhet ta kuptojë. Mirëpo ai e kosideron ende Kosovën si një territor të cilin Serbia do ta rimarrë një ditë, pa marrë parasysh popullin dhe qytetarët e saj. Serbia duhet të përballet me të shkuarën e saj dhe të demokratizohet.
Konkretisht, si mund të ecë përpara dialogu mes Kosovës dhe Serbisë?
Në Bruksel, unë bëra katër propozime. I pari është reciprociteti i të drejtave të minoriteteve serbe dhe shqiptare në vendet përkatëse. I dyti është një “deklaratë e paqes” që i angazhon të dy vendet që të mos sulmojnë kurrë më ushtarakisht njëri-tjetrin, veçanërisht në këtë momënt kur Serbia po blen armë nga Rusia; por Vuçiç refuzoi menjëherë. Propozimi i tretë është kthimi i të zhdukurve të luftës në një prioritet. Dhe i katërti është ecja drejt një marrëveshjeje për shkëmbimin e lirë rajonal.
Ky dialog serbo-kosovar po kryhet nën vëzhgimin e Bashkimit Evropian. Po nga ana amerikane, kur dihet se administrata Tramp kërkonte këmbim terrotoresh mes Serbisë dhe Kosovës, a shihni një ndryshim diplomatik që prej zgjedhjes së Xho Bajdenit?
Zgjedhja e presidentit Bajden është një sinjal shumë pozitiv. Së pari, Xho Bajden është kthyer në liderin e social-demokratëve në mbarë botën dhe ky është një moment shumë interesant. Pastaj, besoj se adminitrata amerikane nuk i merr shumë në konsideratë veprimet e zotit Tramp nga pikëpamja diplomatike. Kjo histori absurde e këmbimit të territoreve ka mbaruar dhe nuk flitet më për të.
Si shkoi takimi juaj i parë me presidentin Emanuel Makron?
Folëm për çështjet dypalëshe, në fushën e sigurisë, të kulturës, të frankofonisë. Nga ana ime, këmbëngula në çështjen e liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës: tre vjet pas dhënies së dritës së gjelbër nga Bashkimi Evropian dhe tani që ka një ulje drastike të emigracionit, Parisi mbetet ende skeptik. Unë shpresoj se kjo vizitë do të ndihmojë në kapërcimin e këtij skepticizmi të Francës. Gjithashtu, këmbëngula në nevojën e marrëdhënieve ekonomike dypalëshe shumë të forta me Francën.
Në planin diplomatik, i kërkova presidentit Makron që ta lidhë njohjen e ardhshme të Kosovës nga Serbia me marrjen e një ulëseje të Kosovës në Kombet e Bashkuara, pasi sipas meje, këto dy subjekte nuk duhet të jenë të ndarë. Zoti Makron më pyeti se çfarë është e gatshme t’i japë Kosova Serbisë në këmbim të një njohjeje, por pyetja e vërtetë është: kur do të jetë Serbia e gatshme të njohë Kosovën? Unë besoj se duhet hequr dorë nga taktika e dhënies gjithmonë përparsi Serbisë, ndërkohë që Kosova mbetet gjithmonë e pakënaqur.