Organizata Safe Journalist: Paditë kundër gazetarëve, mjet për të censuruar punën e tyre
Rrjeti për Gazetarë të Sigurt në Ballkanin Perëndimor (SafeJournalists) deklaroi se paditë kundër medias dhe gazetarëve janë mjet për të frikësuar e censuruar ata.
Në një deklaratë për mediat, organizata shkruan se gjatë javëve të fundit ka patur padi kundër mediave dhe gazetarëve për artikujt e publikuar kundër qeverisë.
“Javët e fundit në Shqipëri ka pasur disa raste që kërcënojnë pavarësinë e punës së gazetarëve në Shqipëri përmes rritjes së numrit të proceseve gjyqësore kundër tyre, veçanërisht ndaj gazetarëve hulumtues. SLAPP (Paditë Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike) po bëhen të shpeshta në peisazhin e mediave shqiptare si një mekanizëm për të censuruar, frikësuar ose heshtur media të pavarura, gazetarë hulumtues dhe kritikë duke i ngarkuar ata me koston e mbrojtjes ligjore derisa të braktisin kritikën e tyre apo çështjen që raportojnë. Ka pasur tre raste të SLAPP në Shqipëri vetëm në javët e fundit, duke kontribuar në përkeqësimin e lirisë së medias.”
Organizata shpreh shqetësimin për “praktikat e pafavorshme gjyqësore kundër mediave” dhe gjithashtu dënon përpjekjet e qeverisë për të rritur dënimet për shpifje.