Protesta në selinë e PD, shkon në 60 numri i personave që janë shoqëruar në polici
Ka shkuar në 60 numri i personave të shoqëruar nga policia e shtetit pas trazirave që u zhvilluan ditën e djeshme në selinë e Partisë Demokratike.
Pas protestës së djeshme, në të gjitha komisariatet e kryeqytetit janë shoqëruar në total një numër prej 60 qytetarësh nga të cilët 28 persona në Komisariatin nr.1, 15 persona në Komisariatin nr.2, 8 persona në Komisariatin nr.3, 5 persona në Komisariatin nr.5, 3 persona në Komisariatin nr.6 dhe 1 person në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Por çfarë ndodhi dje brenda oborrit të PD?
Një situatë e paprecedentë me dhunë e të lënduar u regjistrua ditën e djeshme në selinë e PD-së, ku për më shumë se tre orë pati përplasje nga të dyja palët, mbështetësit e Sali Berishës, e ata të Bashës ishin të mbyllur brenda.
Edhe pse tentuan, demokratët që shqyen dyert e jashtme të selisë, nuk depëtuan deri tek zyra e Lulzim Bashës në katin e dytë.
Teksa përplasja intensifikohej Lulzim Basha ka kërkuar ndihmën e policisë, e cila i është përgjigjur duke marrë në kontroll situatën, duke nisur edhe shoqërimet e para.
Rruga Press