Raketa e kompanisë SpaceX shpërthen gjatë uljes në Tokë
Një prototip rakete i kompanisë SpaceX ka shpërthyer gjatë një tentimi për t’u kthyer në Tokë nga një testim në lartësi të madhe.
Ky lloj i pajisjes është i krijuar për të dërguar njerëz në Mars. Raketa Starship ka kryer testimin për gjashtë minuta e gjysmë nga Teksasi, në një mision për të arritur lartësi prej 12.5 kilometrave dhe për të bërë kthimin në mënyrë vertikale.
Mirëpo ky prototip i testuar i anijes kozmike është përplasur gjatë lëshimit në Tokë dhe meqë shpejtësia ka qenë e madhe, pajisja është ndezur në flakë. Megjithatë, shefi ekzekutiv i kompanisë SpaceX, Elon Musk ka thënë se ekipi ka marrë të dhënat që i janë dashur.
Nisja e pajisjes është shfaqur edhe në kanalin e SpaceX në YouTube. SpaceX deri më tani ka kryer pesë testime të modelit Starship, mirëpo modelet e mëparshme nuk kanë fluturuar më shumë se 150 metra.
Kjo kompani beson se do të mund të dërgojë njerëz dhe mallra në Mars brenda gjashtë vjetëve të ardhshëm.