Pas SHBA-së edhe Australia marrëveshje ushtarake me Japoninë. Alarmohet Kina
Sjellja e qeverisë kineze në zonën e Indo-Paqësorit po shqetëson Japoninë dhe Australinë. Këto dy vende kanë vendosur të bashkëpunojnë më intensivisht ushtarakisht.
Japonia dhe Australia po afrohen ushtarakisht. Krerët e qeverive të dy vendeve, Fumio Kishida dhe Scott Morrison, nënshkruan një marrëveshje për të lehtësuar manovrat e përbashkëta ushtarake.
Në një lidhje përmes video, të enjten ata nënshkruan këtë dokument, i cili përfshin dislokimin më të shpejtë të personelit ushtarak dhe lehtësimin e kufizimeve në transportin e armëve dhe pajisjeve për ushtrime dhe operacione në rast të fatkeqësive natyrore.
“Marrëveshja e Qasjes Reciproke” (“Reciprocal Access Agreement”) korrespondon me një marrëveshje që Japonia kishte deri tani vetëm me partnerin e saj mbrojtës, SHBA-në. Bashkëpunimi më i ngushtë ushtarak me Australinë po zhvillohet në kohën kur është shënuar një prani më e madhe ushtarake e Kinës në këtë rajon.
Ndër tjerash bëhet fjalë edhe për sjelljen e Kinës ndaj Tajvanit.
Kritikat nga Pekini
Kina ka kritikuar këtë marrëveshje midis Japonisë dhe Australisë. Zëdhënësi i Zyrës së Jashtme Wang Wenbin njoftoi në Pekin një ditë më parë, se bashkëpunimi midis shteteve duhet të forcojë besimin dhe mirëkuptimin me vendet e tjera në rajon, të ruajë paqen dhe stabilitetin, “në vend që të jtë kundër një palë të tretë ose të minojë interesat e saj”.
“Paqja dhe stabiliteti në oqeanin Paqësor varen nga përpjekjet e përbashkëta të vendeve të rajonit”, tha Wang Wenbin.
“Shpresojmë që Paqësori të jetë një oqean paqeje dhe jo një vend ku bëhen valë.”
Kryeministri i Japonisë Kishida foli për “ngritjen e bashkëpunimit të sigurisë midis Japonisë dhe Australisë në një nivel të ri”. Japonia dhe Australia i përkasin të ashtuquajturit Grupi Quad, i cili përfshin edhe SHBA-në dhe Indinë.
Të katër vendet duan të zgjerojnë angazhimin e tyre në zonën e Indo-Paqësorit dhe kështu t’i rezistojnë Kinës.
Forcimi i raporteve mes vendeve demokratike
Termi Indo-Paqësor përdoret për të përshkruar rajonin e botës që përfshin vendet në Oqeanin Indian dhe Paqësor.
Shtetet e tjera janë gjithashtu të shqetësuara për praktikat tregtare të Kinës, ndërsa kinezët kërkojnë të zgjerohen në Indo-Paqësor. Kryeministri i Japonisë Kishida theksoi së fundi se synimi i tij është forcimi i marrëdhënieve me vendet e tjera demokratike.
Prej tetorit të vitit të kaluar Japonia ka negociuar një marrëveshje tjetër edhe me Britaninë e Madhe, të ngjashme me atë me Australinë.
Përveç kësaj, fqinji i Kinës, po punon ngushtë edhe me Francën në fushën e sigurisë, e dëshiron të forcojë bashkëpunimin edhe me Gjermaninë.
Në nëntor, fregata “Bayern”, u ankorua në Japoni për herë të parë në 20 vitet e fundit. Gjermania dëshiron të punojë për paqen dhe stabilitetin në Indo-Paqësor.
Këtë vit edhe Forcat Ajrore Gjermane do të shkojnë në Japoni për një vizitë të shkurtër.
Rruga Press