Lajme

Covid-19 “ul” fitimin e tregut të sigurimeve, në rënie me 4.3% për 9-mujorin 2021

TIRANË – Kompanitë e sigurimeve e përmirësuan ndjeshëm performancën financiare në tremujorin e tretë të vitit, por fitimet e tregut ngelen ende në nivele më të ulëta krahasuar me vitin e kaluar.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se në fund të 9-mujorit fitimi neto i kompanive të sigurimit arriti në 1.15 miliardë lekë. Rezultati neto i 9-mujorit ngelet ende më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me 4.3% më pak, por rënia është ngushtuar ndjeshëm krahasuar me nivelin 30% që ishte shënuar në fund të 6-mujorit të parë.

Rënia e fitimeve të tregut i detyrohet rezultatit në rënie në segmentin e sigurimit të jetës, ku ndërmarrjet raportuan fitime neto për 76 milionë lekë, me një tkurrje prej 52% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithëse primet e shkruara bruto në sigurimin e jetës janë rritur me 25%, tkurrja e fitimeve ka ardhur paralelisht nga rritja e shpenzimeve neto për pagesën e dëmeve, por edhe nga rritja e shpenzimeve të marrjes në sigurim. Të dhënat e AMF-së tregojnë dëmet neto në tregun e sigurimit të jetës për 9-mujorin 2021 arritën në 251 milionë lekë, me një rritje prej 23% krahasuar me një vit më parë. Kompanitë e sigurimit të jetës janë prekur ndjeshëm nga rritja e vdekjeve që është regjistruar në periudhën pas pandemisë dhe efektet në dëme janë ndier sidomos gjatë këtij viti. Por, nga ana tjetër, ato kanë rritur edhe shpenzimet e marrjes në sigurim, që prekën vlerën e 335 milionë lekëve, 44% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shpenzimet e marrjes në sigurim konsistojnë kryesisht në komisione për shitjen e produkteve të sigurimit. Në tregun shqiptar, ato prekin nivele shumë të larta dhe shpesh kompanitë shpenzojnë më shumë për komisione, sesa për dëme, siç edhe ka ndodhur me kompanitë e sigurimit të jetës.

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Segmenti më i madh i tregut, ai i sigurimeve të jo-jetës, këtë vit po shfaq një performancë më të mirë. Fitimi neto ka arritur në 1.07 miliardë lekë, me një rritje prej 3.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe në këtë segment primet e shkruara bruto, që përbëjnë bazën kryesore të të ardhurave të siguruesve, janë rritur me 17.5% krahasuar me një vit më parë. Por, edhe në tregun e jo-jetës po paguajnë më shumë dëme në vlerë neto. Vlera totale e tyre arriti në 3.45 miliardë lekë, 29% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithëse në terma bruto këtë vit rezultojnë të paguara më pak dëme, diferencën e ka bërë kryesisht rënia e pjesës së paguar nga risiguruesit në totalin e dëmeve. Vitin e kaluar, pjesa më e madhe e dëmeve në tregun e sigurimit të jo-jetës lidheshin me tërmetin e nëntorit 2019. Duke qenë se sigurimi i katastrofave është një përgjegjësi që në pjesën më të madhe i transferohet risiguruesve, shumica e dëmeve nga kjo ngjarje u pagua prej tyre. Këtë vit, struktura e dëmeve i është kthyer normalitetit dhe dominohet sidomos nga sigurimet e detyrueshme motorike. Kjo ka bërë që dëmet neto të paguara nga kompanitë e sigurimieve të rriten.

Lexo më shumë  Dosja e SPAK/ Banda e Suel Çelës shoqëroi Edi Ramën në Elbasan

Faktor tjetër është edhe në këtë rast rritja e shpenzimeve të marrjes në sigurim, që për 9-mujorin kishin vlerën e 3.88 miliardë lekëve, 19% më shumë se një vit më parë. Vlera e tyre është në nivele më të larta krahasuar me dëmet e paguara neto, duke u bërë një faktor me rëndësi përcaktuese në rënien e fitimeve të tregut. Duke filluar nga 1 janari i këtij viti, AMF ka vendosur një komision tavan prej 20% për sigurimet e detyrueshme motorike, që janë edhe produkti me peshën kryesore në tregun e jo-jetës. (MONITOR)

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *