Klodiani nuk ka pasur kurrë armë” shokët hedhin poshtë versionin e policisë: “Doli për të blerë cigare”
”Aq sa jam unë i armatosur , aq ka pasur Klodiani armë natën kur u vra. Klodiani i urrente armët” dëshmojnë shokët e tij në një prononcim për median duke hedhur poshtë deklaratën e policisë se 24 vjeçari ka qenë me armë.
Nata e 7 dhjetorit ka qenë nata e fundit që shokët prej gati 20 vitesh janë takuar me Klodian. Vetëm pak orë më pas ata mësuan se shoku i tyre ishte vrarë nga një efektiv policie.
“Klodianin e kemi patur 20 vite shok. Ka gëzuar respektin e çdo njeriu që e ka takuar të paktën një herë në jetë. Natën që ka ndodhur ngjarja Klodiani ka qenë me ne, shokët e tij dhe aq sa jam unë i armatosur ka qenë Klodiani. Ai nuk ka pasur kurrë në jetën e tij armë, pasi nuk ka pasur problem me njeri.
Policia insiston që ka pasur armë por ai ka qenë me ne derinë orën 23:00 të natës dhe nuk ka pasur asnjë armë. Dhe familja e tij e di se ai as në shtëpi, as në lagje dhe as 100 metra larg kurrë në jetën e tij nuk ka pasur armë. Ka qenë njeri që respektohej nga të gjithë.”
Ata thonë se Klodiani ka qenë djalë shumë i mirë dhe fare problematik dhe se atë natë kishte dalë për të blerë cigare.
“Arma që është gjetur nuk i përket Klodianit. Nuk ka qenë kurrë njeri problematik. “Ai ka dalë për të blerë cigare tek një kioskë që funksionon 24 orë. Klodiani i urrente armët” thote njeri prej shokeve.
Shokët ndodhen pranë familjarëve të Klodianit për t’iu gjendur pranë në këto ditë të vështira.
Vrasja që shokoi mbarë shoqërinë ndodhi rreth orës 01:45, në rrugën “Dritan Hoxha” në Tiranë. Efektivi i policisë është arrestuar dhe sot është marrë në pyetje.
Cfare deklaroi policia ne njoftimin e policise te ores 08:30 te 8 dhjetorit 2020
Tiranë/Informacion shtesë
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë në orët e para të mëngjesit të sotëm në lidhje me ngjarjen e ndodhur në rrugën “Dritan Hoxha” ju informojmë se :
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga Grupi i Posaçëm Hetimor i përbërë nga SHÇBA dhe Policia nën drejtimin e Prokurorit gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes dhe zonës përreth u bë e mundur gjetja e armës së zjarrit që dyshohet se i përkiste shtetasit K.R, i cili nuk iu bind urdhërit të Punonjësit të Policisë për të ndaluar.
U sekuestrua në cilësinë e provës materiale armë e zjarrit pistoletë me një krehër me fishekë.
Vijon puna intensive nga grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorit për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes.