BallinaLajme

Arrestimi në Kosovë i Indrit Taullait/ Kush urdhëroi ndalimin e tij

Autoritetet e Policisë në Kosovë kanë arrestuar, Indrit Taullain i njohur si ish-anëtar i “Bandës së Durrësit”.

Ai ka qenë i shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare dhe sipas burimeve arrestimi i tij është bërë me kërkesë të Interpol Tiranës dhe zyrës për bashkëpunim ndërkombëtar në Kosovë. Mësohet se ndaj tij ka një urdhër ndalimi nga SPAK-u, megjithëse burimet tregohen të rezervuara sa i përket akuzës së ngritur ndaj tij dhe për çfarë po hetohet nga Prokuroria e Posaçme.

“Me kërkesë të Interpol Tirana dhe zyrës për bashkëpunim ndërkombëtar në Kosovë, ILECU, më datë 06 dhjetor 2020, rreth orës 14:21, në Prizren, është bërë i mundur ndalimi dhe arrestimi i personit të dyshimtë I.T., i lindur në vitin 1975. I arrestuari dyshohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale në Shqipëri. I njëjti ka hyrë në Republikën e Kosovës më datë 05 dhjetor 2020”, thuhet në një njoftim të Policisë së Kosovës. Pritet që Taullai të transportohet në Tiranë, ku do të përballet me akuzat e ngritura nga SPAK-u.

Lexo më shumë  “Paralizohet” Tirana/ Tension dhe përplasje, çfarë ndodhi gjatë protestës së opozitës

Indrit Taullai ka qenë i dënuar me 25 vite burg, pasi u arrestua si pjesë “Bandës së Durrësit”, të cilët akuzohen për një sërë vrasjesh për hakmarrje ndaj grupeve kriminale rivale.

Më herët ai ishte liruar nga burgu nga një vendim i Gjykatës së Lartë, pasi vuante nga sëmundje e rëndë, ku argumentohej se duhej të trajtohej në kushte spitalore, jashtë ambienteve të burgut.

Pak orë pas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila pranoi më 29 qershor 2017 kërkesën për lirimin me kusht të Indrit Taullait, ky i fundit ka lënë qelitë e burgut.

Vendimi i Gjykatës së Lartë erdhi pas kërkesës së Taullait, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. Ishanëtari i “Bandës së Durrësit”, Indrit Taullai i shpëtoi dënimit me “burg përjetë”, pas rekursit në Gjykatën e Lartë, e cila e transferoi atë në burgun e sigurisë së zakonshme në Durrës, prej nga ku edhe la qelinë disa orë më pas. Taullai, i cili ishte dënuar nga gjykata me 25 vite burg, akuzohej për disa vepra penale.

Lexo më shumë  Muja i përgjigjet Bajramit: Nën autoritetin e saj janë nënshkruar 15 tenderë njëburimor, u avulluan edhe 529 mijë euro

“Banda e Durrësit”, ku ai bënte pjesë ka nisur të veprojë në qytetin bregdetar prej vitit 1998, kur Lulzim Berisha, i cili gjithashtu është në liri me kusht, në bashkëpunim me Plaurent Dervishaj, Adriatik Colin, Klodian Saliun dhe Ilir Xhungën vranë me armë zjarri Dritan Sallakun.

Seriali i vrasjeve vijoi edhe në pranverën e vitit 2006, ku u arrestuan shtatë persona, mes të cilëve katër të akuzuar si vrasës me pagesë. Njëri prej tyre, Adriatik Coli u pendua dhe bashkëpunoi me drejtësinë pas riatdhesimit nga Italia. Edhe ky i fundit përfitoi lirinë në vitin 2015.

YouTube player