Krimet ndaj shqiptarëve, vijon zhvarrosja në varrezën masive në Serbi
Në këtë varrezë masive, 250 kilometër në jug të Beogradit, dyshohet se ndodhen trupat e dhjetra shqiptarëve të vrarë gjatë luftës kundër pushtimit serb.
Puna në këtë varrezë masive për të dëshmuar krimet e serbëve gjatë luftës në Kosovë nisi më 30 nëntor.
Zyrtarët shqiptarë të pranishëm kanë njoftuar se puna e parë është saktësimi i perimetrit të saktë të varrezës, e më pas do të procedohet me gërmimet, zhvarrosjen e mbetjeve mortore dhe dërgimin e mostrave për analize të ADN-së në Komisionin ndërkombëtar për personat e zhdukur. Për shkak të ndjeshmërisë së lartë të çështjes, ku gjatë luftës së Kosovës janë vrarë dhe zhdukur më shumë se 13.500 persona, zyrtarët preferojnë të mos japin shumë informacione për ecurinë e punimeve.
Më herët, udhëheqësi i Zyrës për të pagjeturit, Kushtrim Gara, ka thënë se ka edhe vendndodhje të tjera.
Kizhevaku është varreza e pestë masive në territorin e Serbisë, ku rreth 1.000 trupa shqiptarësh janë zhvarrosur nga këto varre masive.
Autoritetet e Kosovës dhe organizatat joqeveritare ndërkombëtare bëjnë të ditur se rreth 80% e personave të zhdukur gjatë luftës kanë qenë meshkuj të moshës prej 18 deri në 40 vjeç.
Vetë kryeministri Hoti ka thënë më herët se Çështjen e të zhdukurve është kryesore për marrëveshjen e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë.