BallinaLajme

Rumen Radev këmbëngul që njohja e të vërtetës historike të bëhet proces i pakthyeshëm, në të kundërtën Bullgaria nuk do të lëshojë pe

Presidenti bullgar Rumen Radev vazhdon t’i qëndrojë idesë se Bullgaria nuk duhet të heqë dorë nga pozicioni i saj mbi çështjen e fillimit të negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, derisa të zgjidhë çështjet e hapura me Bullgarinë.

“Një vit më parë, në shtator, unë thirra një takim urgjent konsultativ me përfaqësuesit e qeverisë, ku insistova në përgatitjen e një kornize kombëtare pozicioni që do të përcaktojë qartë kushtet tona dhe vijat e kuqe. Unë vazhdoj t’i qëndroj kësaj”, kështu u përgjigj Presidenti bullgar Rumen Radev në pyetjen e medias bullgare BGNES nëse Bullgaria duhet të mbrojë pozicionin e saj mbi çështjen maqedonase apo të heqë dorë.

Radev tha se një vit pas nënshkrimit të marrëveshjes së fqinjësisë, ai kërkoi që të nënshkruhej një aneks i ri, pasi nuk kishte pasur progres në këtë çështje. Ai shpjegoi se tani duhet të presin që emocionet të qetësohen dhe të armatosen me durim, qetësi dhe mendje të shëndoshë.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

“Vëllezërit tanë nga RMV-ja duhet të jenë anëtarë të BE-së, por ky duhet të jetë një proces i qëndrueshëm, ku çrrënjosja e retorikës anti-bullgare, gjuha e urrejtjes, njohja objektive e së vërtetës historike duhet të bëhet një proces i pakthyeshëm. Edhe këtu, Bullgaria duhet të mbrojë kategorikisht të drejtat e saj”, këmbënguli kreu i shtetit bullgar.

Ndërkohë edhe eurodeputeti bullgar, Andrej Kovaçev, për po të njejtën media tha se ka pak shanse që të ketë një ndryshim në pozicionin e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut përpara takimit të nesërm të Këshillit të Ministrave të BE.

“Është shumë pak e besueshme që nesër ose në orët e ardhshme të ketë zhvillim për situatën aktuale, veçanërisht duke pasur parasysh dështimin e takimit të fundit të Komisionit të përbashkët historik bullgaro-maqedonas javën e kaluar”, tha Kovaçev, raporton BGNES.

Ai akuzoi palën maqedonase se përpiqet të gjejë justifikime të ndryshme dhe siguroi se zgjedhjet bullgare, të cilat do të mbahen në mars, nuk kanë asnjë lidhje me pozicionin bullgar, sepse të gjitha partitë politike në Bullgari pajtohen që me historinë dhe faktet e qarta historike nuk mund të bëhet kompromis. Ai tha se nevojitet  guxim më i madh nga Kryeministri Zoran Zaev, ndërsa ekipi maqedonas në komisionin historik ka frikë të pranojë faktet, atëherë do të duhet të gjendet një mënyrë tjetër për të zbatuar Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Takimi i ardhshëm i Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së do të mbahet më 8 dhjetor, kur do të duhet të merret vendimi përfundimtar nëse do të fillojnë bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Por, duke parë deklaratat e krerëve të shteteve kyçe të BE-së, duket se gjasat janë shumë të vogla që kjo të ndodhë nesër apo deri në përfundimin e këtij viti.

YouTube player