Teatri i Studentëve të Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës drejt funksionalizmit
Edhe pak punë ka mbetur deri në funksionalizimin e plotë të Teatrit të Studentëve të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishina”.
Edhe pse ende nuk është i kompletuar me infrastrukturë e nevojshme, teatri ka më se një vit që është vënë në shërbim të studentëve për kryerjen e obligimeve akademike.
Zyrtarë të Fakultetit kanë deklaruar për KALLXO.com se aktualisht teatri ka të rregulluar skenën, ndriçimin, por ende nuk është emëruar Bordi dhe drejtuesi i teatrit.
Megjithatë, studentët për të realizuar një shfaqje në këtë teatër duhet t’i sigurojnë vetëm materialet për skenografinë, kostumet e elementet tjera që duhen për shfaqje, duke mos futur këtu edhe vështirësitë tjera qoftë administrative apo të tjera për të siguruar qasje në sallën e teatrit.
Hazir Haziri, dekan i Fakultetit të Arteve tha për KALLXO.com se teatri i studenteve është drejt kompletimit infrastrukturor.
“Teatri i studentëve është drejt kompletimit infrastrukturor, si kërkesë e Fakultetit të Arteve për themelim, ka kaluar në Bordin e Universitetit. Tashmë pritet të krijohet Bordi dhe të zgjidhet udhëheqësi në mënyrë që të zhvillohet puna kërkimore artistike, sipas kërkesave të programeve të studimit: aktrim, regji teatri, dizajn skene, kostumografi dhe dramaturgji”, ka thënë Haziri.
Dekani Haziri ka pohuar se salla është duke u përdorur për realizimin e provimeve te studentëve të Arteve Dramatike. Ndërsa ka thënë se në muajt në vazhdim pritet të finalizohet funksionalizimi i plotë i teatrit të Studentëve të Fakultetit të Arteve.
Regjisori Agim Selimi, profesor në FA të UP-së, ka thënë për KALLXO.com se Teatri i Studentëve me infrastrukturën aktuale i plotëson nevojat elementare për realizimin e shfaqjeve të studentëve.
“Përveç që i kryen nevojat elementare të diplomimin e provimet, mund të funksionojë dhe si një teatër i studentëve. Natyrisht se nuk është në nivelin e mundësive të ‘Dodonës’, mirëpo për shfaqje mund të organizohet sidomos me natyrë studentore”, ka thënë Selimi, ish dekan i FA-së.
Funksionalizmi i Teatrit të Studentëve ndihmon shumë studentët e FA-së, sidomos në përfundimin e provimeve, por edhe në diplomimin, duke reduktuar dukshëm shpenzimet. Edhe pse teatri ende nuk është funksionalizuar plotësisht.
Studenti i regjisë së teatri, Lirim Behluli ka thënë për KALLXO.com se studentët e regjisë së teatrit po përballen me probleme të ndryshme gjatë realizimit të shafqjeve gjatë studimeve.
Gjetja e kostumeve, skenografi e nevoja tjetra për një shfaqje, sidomos për diplomim, nuk del të jetë e lehtë për studentët e këtij fakulteti që në disa raste, sipas Behlulit, studentët duhet t ‘i sigurojnë vetë, t‘i sjellin nga shtëpia apo t’i sigurojnë në bashkëpunim me studentët e tjerë.
“’Teatri i studentëve’ nuk i plotëson kushtet për një gjë të tillë, duke filluar nga papastërtia, mungesa e gjërave elementare e deri e mbyllja e derës së tij që është e vështirë ta marrësh çelësin ose të koordinohesh me dikë aty për të organizuar prova”, ka thënë Behlulu, i cili mjetet e nevojshme për mbrojtjen diplomës do të duhet t i kërkojë përmes konkurseve të institucioneve që mbështetësin fushat e kulturës.
Themelimi dhe funksionalizimi i Teatrit të Studentëve të Fakultetit të Arteve është obligim ligjor, që del sipas Ligjit për Teatrot të miratuar më 2011.
“Teatri i Studentëve të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës themelohet dhe funksionon si institucion në kuadër të Universitetit të Prishtinës. Themelimi dhe funksionimi i tij përcaktohet me akte nënligjore nga Universiteti i Prishtinës”, thuhet në pikën 1 dhe 2 të nenti 18 të Ligjit për teatrot.