BallinaEditorial

Raporti i Parlamentit Evropian për “Lajmet e Rremë” nxin mediat dhe politikën shqiptare

Një raport i përpiluar nga një komision i posaçëm i PE (Parlamentit Europian) në lidhje me përhapjen e lajmeve të rreme dhe dezinformatave në rajonin e Ballkanit Perëndimor, tregon atë që tashmë dihet prej kohësh: Aktorët e mëdhenj politikë dhe mediat kryesore në Shqipëri janë burim i madh dezinformatash. Nga ky raport citojmë: “E thënë thjesht, dezinformatat në Shqipëri janë të kudondodhura. Ato janë të pranishme gjithandej në spektrin politik dhe atë të mediave… Edhe mediat më të mëdha në vend janë kanale të rëndësishme për shpërndarjen e dezinformatave. Shpërndarësit më të mëdhenj të dezinformatave në mediat sociale përfshijnë dy televizione shtetërore – Top Channel të rreshtuar kah qeveria, si dhe Ora News. Lista përfshin gjithashtu media të tjera të cilat kanë reputacion të të qënit të pavarura, si JOQ Albania dhe Gazeta Tema.”

Përkufizimi për dezinformatën nga ana e BE-së është “informacion i verifikueshëm si i pavërtetë dhe ç’orientues […] i krijuar dhe i shpërndarë në publik me qëllim përfitimi ekonomik ose mashtrimin e publikut të gjerë”, i cili “mund të shkaktojë dëme e të kërcënojë proceset dhe politkbërjen demokratike, si edhe të mirat publike.”

E thënë ndryshe:

a) dezinformata është një përpjekje e qëllimshme për t’i bindur njerëzit që të besojnë në diçka të cilën prodhuesit e dinë shumë mirë që është e pavërtetë

b) prodhuesit e dezinformatave veprojnë qëllimshëm duke pasur synime të këqia dhe të dëmshme

Në ndryshim nga pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor, ku rolin më të madh e luajnë aktorët e jashtëm si Rusia dhe së fundmi Kina dhe Turqia, qëllimi i të cilëve shkon kah lojërave të mëdha gjeopolitike, në rastin e Shqipërisë si origjina ashtu edhe qëllimet e dezinformatave janë të brendshme.

Dy janë llojet më të përhapura të dezinformatave; dezinformata komerciale dhe ajo politike.

Dezinformata komerciale lidhet me ngarendjen e shumicës së mediave drejt raportimeve të bujshme, shpeshherë pa lidhje me vërtetësinë apo saktësinë e lajmit që përcjellin. E gjithë kjo për rritjen e trafikut në faqet e tyre me qëllim gjenerimin e të ardhurave.

Deznformimi politik lidhet me të pavërtetat e krijuara dhe shpërndarja e tyre me qëllim përfitimi politik. Si shembull flagrant në raport merret rasti i videos së famshme të cilën Rama e shiti si përdorim të dhunës fizike nga ana e policisë spanjolle, për të siguruar respektimin e orareve të kufizimit gjatë karantinës në fillim të pandemisë. Në fakt e vërteta e videos ishte krejt tjetër. Në video ishte policia algjeriane gjatë një proteste. E gjitha kjo për të justifikuar vendimet politike që kishin ngjallur ndjeshëm pakënaqësi në popull dhe kishin ulur akoma më tej reputacionin e Ramës.

Raporti shkon edhe më tej, e këtu citojmë: “Më keq, dezinformimi është një vegël e zakonshme e përdorur nga qeveria dhe miqtë e saj të afërt kundër gazetarëve hulumtues, aktivistëve të shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë që kërkojnë të vendosin këto autoritete të fuqishme përballë përgjegjësive.”

Në raport nuk lihet pa u përmendur as opozita, e cila nëpërmjet Syri.net shpërndau dezinformata për sa i përket çështjes së importimit të 1300 ton mbetjeve toksike nga Italia. /RrugaPress/.

Raportin e plotë mund ta gjeni më poshtë:

©RrugaPress Të gjitha të drejtat të rezervuara

YouTube player