BallinaLajme

Publikohet Strategjia e Policisë 2021-2026: Kontrolle me polic komunitar e dron. Lleshaj – kryebashkiakëve: Na keni lënë të vetëm përballë krimit!

Policia e Shtetit është lënë e vetme në luftën përballë krimit dhe kontrollin e territorit për të ofruar rend dhe siguri.

Është ky konstatimi i Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj i cili në strategjinë ndërsektoriale për sigurinë në komunitet për 5 vitet e ardhshme kërkon angazhimin e 61 kryebashkiakëve në këtë sfidë e cila nis nga kanabisi, krimet mjedisore, krimet ndaj pronës jetës, e deri tek dhuna.

Ndër risitë e kësaj strategjie janë futja e teknologjisë së patrullimeve me dron, angazhimin e strukturës së policisë bashkiake si dhe zyra policie në çdo bashki për kordinimin e kontroll të territorit.

Në dokumentin e siguruar nga Report Tv për strategjinë e sigurisë për vitin 2021-2026 theksohet se pushteti lokal neglizhon kryerjen e detyrave duke e lënë vetëm policinë.

“Strukturat vendore të Policisë së Shtetit janë të organizuara dhe të ndara në të gjithë territorin dhe ushtrojnë përgjegjësitë e tyre funksionale dhe realizojnë detyra në kontrollin e territorit për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale dhe të paligjshmërisë në territor, por aktorët e tjerë vendorë që kanë detyrime për kontrollin e territorit, nuk ushtrojnë përgjegjësitë që i ngarkon ligji ose i ushtrojnë ato në nivele minimale”, thuhet në raport.

Lexo më shumë  Hodhën vezë drejt makinës së Ramës në Manëz, shoqërohen nga policia 12 aktivistë

Më tej ky raport kërkon nga kryetarët e pushtetit lokal dhe 61 bashkive në vend angazhim konkret.

“Kryetarët e bashkive, njësive administrative nuk duhet të jenë partnerë pasivë në këtë proces, ata duhet të udhëzojnë zgjerimin e kësaj lëvizje drejt “qeverisë së orientuar nga komuniteti” në nivelin vendor. Koordinimi dhe bashkëpunimi me organizatat, forumet dhe institucionet joqeveritare konsiderohet si shumë i rëndësishëm, pasi përfshirja e tyre do të  kontibuojë në sigurinë e komunitetit“, vijon raporti.

Raporti i Ministrisë së Brendshme

Ndalur tek roli i Policisë Bashkiake strategjia e firmosur nga ministri Lleshaj thotë “Krijimi i një fondi të vecantë për sigurinë në komunitet. Planifikimi i buxhetit bashkiak për çështje që lidhen me sigurinë dhe rendin në komunitete përfshirë çështje që lidhen me emergjencat civile. Vendosja e pajisjeve monitoruese (teknologjike) nga institucionet vendore, për të ndihmuar në identifikimin dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe qytetarëve me rrezikshmëri shoqërore (në bashkërendim me Policinë e Shtetit), nën konceptin e Smart Cities. Rishikimi i rolit dhe përgjegjësive të policisë bashkiake, si dhe përmirësimin e kuadrit rregullator dhe fuqizimin e bashkëpunimit të strukturave të Policisë Bashkiake me strukturat e Policisë së Shtetit“.

Lexo më shumë  Hyn në fuqi Ligji për Byronë për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme

Policimi në komunitet nuk do të jetë me një funksion që do të kryhet nga polici i zonës i cili kryen edhe arrestime, kontrolle banesash apo operacione por sipas këtij dokumenti do të jetë një strukturë e veçantë e mirëpaguar dhe e pajisur me mjete e uniformë të dedikuar.

Kjo strategji parashikon edhe krijimin dhe funksionimin e Këshillave Vendorë të Sigurisë Publike të cilat deri më tani nuk kanë funksionuar duke sjellë edhe mungesën e kontrollit mbi territor nisur nga zonat urbane e deri tek ato rurale të cilat janë jashtë kontrollit.

Institucionet që kanë detyrimin e kontrollit mbi territorin, monitorimit të situatës së kriminalitetit, sipas strategjisë përcaktohen nga ministria e brendshme dhe policia e shtetit, ministritë e linjës arsim, infrastrukturë, shëndetësisë, e deri tek prefekti i qarkut, këshillat e qarkut, krerët e bashkive, drejtoritë arsimore, shkollat unviersitetet, organizatat jofitimprurëse e deri tek media kombëtare e lokale.

YouTube player