Art & Kulturë

Potenciali ekonomik i filmit! Hapet rruga xhirimit të filmave të Hollywood në vend

Në rast se një banor në cilindo shtet të rruzullit tokësor nuk e njihte Madridin, jam e sigurt që pasi pa serialin “Casa de Papel” është e pamundur ta harrojë vizualisht dhe gjeografikisht. Vendndodhjet ku filmohen filmat dhe shfaqjet televizive mund të bëhen pjesë e përmbajtjes si çdo gjë tjetër.

Në disa raste, mund të duket pothuajse si karakteri i tij unik. Vende si Nju Jorku, Londra dhe Roma janë të njohura për popullaritetin e tyre në film. Pastaj disa vende na bëjnë të mendojmë për filma në momentin kur dëgjojmë emrin e qytetit ose të shtetit, si Zelanda e Re te “Lord of Rings”, Kroacia te “Game of Thrones”. Por a ka vende që nuk janë shfrytëzuar deri tani?

Padyshim Shqipëria.

Por, Shqipëria nuk ka traditë në këtë skemë. ‘Faji’, sipas njohësve të fushës, gjendet te taksa aktuale që rëndon mbi prodhuesit e huaj.

Aktualisht, Netflix po shikon mundësinë e përdorimit të Greqisë si lokacion në xhirimet e projekteve të ardhshme të tyre.

Kur një film ose shfaqje televizive xhirohet në vendndodhje, ajo sjell vende pune, të ardhura dhe zhvillim të infrastrukturës përkatëse, duke ofruar një nxitje të menjëhershme për ekonominë lokale. Në shumë, filmat dhe shfaqjet televizive të njohura mund të nxisin gjithashtu turizmin.

Shqipëria aktualisht është vendi i vetëm në rajon, që nuk ofron incentiva në sektorin e filmit për prodhuesit e huaj. Dhe skemat janë të shumëllojshme. Projektligji është sjellë nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, por pritet që të nisë diskutimet në Kuvend në 2022.

Si funksionojnë skemat e incentivave: Krijohet një “tax credit” ose “shelter”, të cilat rëndojnë 20 ose 30%, në varësi të shteteve. Më pas, verifikohet buxheti i shpenzuar për filmin, pasi të xhirohet dhe rikthehet taksa e paguar në momentin fillestar (pra 20 – 30% e buxhetit).

“Ne synojmë që ta kthejmë mbrapsht këtë taksë që e kemi 30%, pra rikthim mbrapsht nga një taksë e paguar nga vetë ata, shteti shqiptar nuk paguan asgjë, veçse fiton. Nga pikëpamja ekonomike, këto projekte janë investime të mirëfillta financiare prej miliona eurosh (në total), të cilat investohen në Shqipëri:-pohojnë nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

QKK: Pandemia ndikoi në tkurrjen e buxhetit

Fondi buxhetor i miratuar nga Kuvendi për prodhimin kinematografik në Shqipëri shpeshherë ka pasur ulje-ngritje, duke sjellë si pasojë paqëndrueshmëri në vlerat e financimeve, por edhe ka vënë në vështirësi Qendrën Kombëtare të Kinematografisë për të planifikuar ecurinë e projekteve kinematografike, që veprojnë mbi baza kontraktuale me të huajt, si dhe hapjen e rregullt të sezoneve të konkurrimit.

Kështu shprehet për Monitor, kreu i QKK, i cili shton se në 2022, pritet që të miratojnë projektligjin për kinematografinë, që do të sjellë përmirësim të sektorit dhe përafrim me vendet më të zhvilluara.

“Me këtë buxhet të akorduar, Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka dhënë mbështetje financiare për një numër të konsiderueshëm projektesh kinematografike, të cilat jemi të ndërgjegjshëm, që mund të kenë cenuar disi edhe cilësinë e projekteve për arsye të akordimit të buxheteve të ulëta, të cilat kanë pasur si qëllim kryesor mbajtjen në këmbë të kinematografisë.

Gjithashtu kjo ka ndihmuar në afrimin e krijuesve të rinj, të cilët janë në një numër të jo të vogël, kur kemi parasysh që numri i kineastëve (regjisorë, drejtor fotografie, etj.) që diplomohen çdo vit nga universitetet e filmit brenda dhe jashtë vendit është i konsiderueshëm. Financimi në këtë drejtim mund të kishte qenë më i lartë” – thotë Eduart Makri, kreu i QKK-së.

Ai shton se, është me rëndësi të theksojmë se kualifikimi i kineastëve të rinj, me bursa jashtë vendit, që ka qenë dhe është prioritet i politikës së QKK, dhe buron nga ligji, nuk është realizuar për mungesë fondesh.

“Vlera e mbështetjes financiare të projekteve kinematografike, shqiptare krahasuar me vendet e rajonit e më gjerë, është pothuajse e papërfillshme për të qenë pjesë dinjitoze e bashkëprodhimeve europiane të shteteve të rëndësishme.

Për këtë arsye nuk janë financuar në mënyrë të mjaftueshme prodhimet kinematografike të kushtueshme, duke mbetur kështu në minorancë për sa u përket bashkëprodhimeve me të huajt. Kjo bie në kundërshtim dhe me synimet pozitive të Konventës Europiane të Bashkëprodhimeve Kinematografike (e rishikuar), të cilën e kemi nënshkruar (signatory), dhe tashmë po miratohet përfundimisht, për të hyrë në fuqi, brenda këtij viti, ose në fillim të vitit tjetër.

Në këtë pikë, është krijuar dhe një lloj paragjykimi që prodhimet me financime të ulëta, vijnë nga vendet e vogla, me buxhete të ulëta dhe si rrjedhojë nuk merren në konsideratë, pavarësisht se prodhimet mund të jenë dinjitoze.

Producentët e vendeve të rëndësishme që bëjnë dhe lobime, por në të njëjtën kohë orientojnë edhe politikat e festivaleve të rëndësishme ndërkombëtare të filmit, nuk kanë asnjë interes të bashkëprodhojnë me producentët shqiptarë, pavarësisht cilësisë së projekteve kinematografike” – thotë z. Makri.

Ai shton se, edhe për skema financimi, siç është ajo e bashkëprodhimit minor, producentët tanë nuk futen dot për të bashkëprodhuar në projekte të rëndësishme dhe me vlera të mëdha financimi, pasi vlera e financimit që akordohet nuk është në nivelet që të përmbushë kuotën e bashkëprodhimit në masën 5% të përcaktuar në Konventën Europiane të Bashkëprodhimeve Kinematografike të rishikuar, e cila është në proceset përfundimtare të ratifikimit, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

Pavarësisht këtyre vështirësive, autorët dhe producentët shqiptarë kanë mundur të arrijnë suksese ndërkombëtare në konkurrimet europiane e më gjerë duke u vlerësuar me çmime të rëndësishme, sipas njohësve të fushës. Vetëm dy vitet e fundit, janë fituar 6 (gjashtë) projekte shqiptare, duke sjellë afërsisht 550 mijë euro në buxhetin e bashkëprodhimeve, kur pagesa vjetore e anëtarësisë që paguhet çdo vit në këtë ent është mesatarisht 189 mijë euro.

Pezull, nisja e incentivave në sektor

Nisma “tax credit” ose “shelter”, e propozuar tre vite më parë nga Qendra Kombëtare Kinematografike, e cila do të mundësonte xhirimin e filmave hollivudianë në Shqipëri, ende nuk po gjen zbatim, ndërsa në nëntor 2021, nisi diskutimi me grupet e interesit, para se të dërgohet në qeveri.

“Ne kemi propozuar që nisma ‘tax shelter’ të përfshihet në ligjin ‘Për kinematografinë shqiptare’, i miratuar në 1996, për të cilët janë propozuar disa ndryshime. Ky ligj është amenduar ndër vite, por risitë e propozuara synojnë ta bëjnë sa më atraktiv. Nisma synon kthimin mbrapsht deri në 30% të taksës së paguar nga kompania e huaj që do të xhirojë një film në vend” – pohon kreu i QKK.

Sipas tij, Shqipëria ka potencial të fuqishëm për xhirime për të huajt, të cilët shfaqin shumë interes për të ardhur këtu për të bërë xhirime, shoqëruar kjo dhe me çmimin e lirë të specialistëve të grupeve të filmit, koston e ulët të vendeve ekzotike të xhirimit, si dhe rritjen e ndjeshme të turizmit kulturor e familjar; e bëjnë Shqipërinë një vend të lakmuar për kompanitë e mëdha prodhuese.

Mungesa e hapësirave ligjore për aplikimin e mekanizmit financiar (Tax Rebate, Tax Incentive, Taks Kredit), ka bërë dhe bën që ata të zgjedhin të xhirojnë në vendet e rajonit (Greqi, Mali i Zi, Kroaci, Slloveni, Maqedoni e Veriut, etj.), në vend të Shqipërisë; duke hezituar për të sjellë financimet e tyre në Republikën e Shqipërisë, vetëm për mungesën e legjislacionit për aplikimin e skemës “Cash Rebate”.

Ndryshimet ligjore që propozojmë në këtë drejtim, do të nxitin prodhimet e produksioneve të fuqishme kinematografike e televizive të vijnë dhe të xhirojnë filma në Shqipëri. Qendra Kombëtare e Kinematografisë, që prej disa vitesh ka nisur tentativat për të vënë në funksionim skemën “Cash Rebate” të rimbursimit të pjesshëm të shpenzimeve të filmave të huaj që xhirohen në Shqipëri, madje ka nisur edhe promocionin e saj nën logon “Filming in Albania”, që vihet në të gjitha festivalet e mëdha të filmit ku Shqipëria merr pjesë, përfshi tregjet e rëndësishme të filmit në Kanë e Berlin.

Propozim i ri

Sipas drejtuesve të QKK, ka edhe një shqetësim tjetër që të gjithë aktorët e sektorit sugjerojnë që të rishikohet.

Kanalet kryesorë televizive në Shqipëri, platformat ekzistuese dixhitale në territorin e Republikës së Shqipërisë (si dhe ato që po krijohen), kompanitë telefonike dhe ato të internetit, po fuqizohen.

Ndërkohë, ato kanë zgjeruar ndjeshëm territoret e tyre, duke rritur në mënyrë të konsiderueshme abonentët, si rrjedhojë ato kanë shumëfishuar të ardhurat dhe fitimet, përfshi këtu dhe marketingun dhe reklamat në rang kombëtar e ndërkombëtar (vendet fqinje).

Në këto përpjekje, ato përpiqen t’u përshtaten shijeve dhe nevojave të publikut, përfshi këtu edhe përdorimin e prodhimeve kinematografike para viteve ‘90, që administrohen nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Në vendet si Kroacia, Sllovenia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Greqia, ligjet kinematografike parashikojnë detyrime financiare që kontribuojnë në mënyrë të ndjeshme në financimin e fuqizimin e kinematografive të tyre kombëtare.

“Për këtë arsye, nëpërmjet ndryshimeve ligjore të propozuara, kërkohet që t’i akordohet nga buxheti i shtetit drejt QKK-së një përqindje e vogël nga të ardhurat të cilat krijohen nga këta përdorues. Këto të ardhura do të përdoren për të ngritur dhe për të vënë në eficiencë fondin për incentivën ‘Cash Rebate’, si dhe për të realizuar projekte kinematografike, kryesisht për promocionin dhe distribucionin e filmit shqiptar, që është edhe pika më e dobët aktualisht në zinxhirin e kinematografisë shqiptare.

Për këto arsye kemi propozuar ndryshimet në nenin 6 të projektligjit, i cili përcakton mënyrën e përbërjes së buxhetit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Për hartimin e këtij neni, kemi përshtatur, pas analizës dhe për sa është e mundur në kontekstin shqiptar, skemat e financimit të kinematografisë, që rregullojnë kinematografinë në vendet e rajonit si Kroaci, Slloveni, Mali i Zi, Greqi, Bullgari dhe Maqedoni e Veriut.

Kjo mënyrë e ndërtimit të buxhetit të qendrave kinematografike homologe ka bërë të mundur krijimin e fondit në dispozicion të skemave të rimbursimit të produksioneve të huaja që xhirojnë në vendet përkatëse. Sa më i madh të jetë fondi, aq më e madhe është aftësia e tyre për të afruar prodhime të mëdha të huaja që duan të xhirojnë në territoret e tyre, aq më shumë rritet e fuqizohet industria e tyre kinematografike, dhe si rezultat, aq më shumë oferta kanë. Është një proces ortek” – shton z. Makri.

Potenciali

Miratimi i projektligjit për Kinematografinë, që përfshin krijimin e skemave incentive, do ta vendoste Shqipërinë në hartën e vendeve që ndjekin politikën e ekonomisë kreative. Nga të gjithë llojet e investimeve që mund të realizohen në një vend, ky do të ishte ndër më interesantët

Çfarë e pret Hollywood në anën tjetër të pandemisë?

Ndërsa vaksinat janë përhapur në mbarë botën, shumë drejtues filmash dhe operatorë teatrosh kanë parashikuar – duke shpresuar, duke u lutur – se presin një rritje e madhe të shitjes së biletave. Ata shpresojnë se masat, të dëshpëruara për të dalë nga shtëpitë (dhe të lodhura nga shikimi i televizionit), do të fillojnë të dynden në kinema sapo të ndihen të sigurt nga koronavirusi dhe filmat e mëdhenj të fillojnë të ripopullojnë marques. Mund të ndodhë.

Por rezultatet e hershme të biletave tregojnë rikuperim më të rrëmujshëm, me shijet e shikuesve të filmave që mund të ndryshojnë – veçanërisht në Kinë, tani tregu nr. 1 i kinemasë në botë – dhe konfliktet në prapaskenë midis studiove dhe kinemave që shtrëngojnë disponueshmërinë e filmit.

Disa studio tradicionale kanë filluar t’i japin përparësi transmetimit, ndaj shtyrjes nga operatorët multipleks. “Do të duhet pak kohë që gjërat të zgjidhen” – tha David A. Gross, i cili drejton Franchise Entertainment Research, një konsulencë filmash.

Financimet nga QKK

Që nga krijimi, në vitin 1997 e deri më sot (21 vjet) Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka financuar 319 filma. Vetëm gjatë 4 viteve të fundit (2015-2018) janë financuar 135 filma.

Mesatarisht gjatë 4 viteve (2015-2018) janë financuar çdo vit rreth 34 filma, nga të cilët: 14 filma të gjatë; 9 filma të shkurtër; 6 filma dokumentarë; 5 filma të animuar. Gjatë vitit 2019 janë financuar gjithsej 83 projekte kinematografike.

Gjatë 8-mujorit të vitit 2020 (shifrat e fundit të vëna në dispozicion nga qendra) janë financuar gjithsej 70 projekte kinematografike. Njohësit e fushës pohojnë se financimet janë ndër më të ulëtat në rajon.

Sipas të dhënave më të fundit të disponueshme, industria globale e filmit ka pësuar një humbje prej 7 miliardë dollarësh amerikanë që nga mesi i marsit 2020 për shkak të koronavirusit dhe ndikimit të tij në industritë në mbarë botën. Me mbylljen e kinemave, shtyrjen e premierave të filmave, anulimin e shfaqjeve dhe mbylljen e biletarisë, industria e filmit vlerësohet të ketë humbur 10 miliardë dollarë të tjerë të ardhura, nëse efektet ekonomike të pandemisë vazhdojnë gjatë./STATISTA

Të ardhurat globale

Në vitin 2020, i gjithë tregu global i argëtimit përmes filmave, arriti në 80.8 miliardë dollarë, shifra më e ulët që nga viti 2016 dhe një rënie prej 18% nga viti 2019. Rënia më e madhe ishte në të ardhurat nga teatri, të cilat ranë nga 42.3 miliardë dollarë në 2019 në 12 miliardë dollarë në vitin 2020. Argëtimi teatror përbënte vetëm 15% të totalit të të ardhurave globale nga argëtimi, krahasuar me 43% në 2019.

Me mbylljet që ndodhën në të gjithë globin, konsumatorët u mbështetën në format dixhitale për argëtim (video-sipas kërkesës ose siç njihet on demand, video streaming dhe abonime elektronike).

Tendenca drejt formës dixhitale të të parit filma u përshpejtua në vitin 2020, pasi të ardhurat u rritën në 61.8 miliardë dollarë, një rritje prej 31%. Mediat dixhitale përbënin mbi tre të katërtat e të ardhurave totale nga argëtimi në shtëpi ose mobile.

Tani ka 1.1 miliardë abonentë për video në internet në mbarë botën, me 26% nga viti 2019. Anasjellas, të ardhurat nga sektori fizik për filma (Blu-ray, DVD dhe qiratë) vazhduan të bien. Në vitin 2020, ai dixhital arriti në vetëm 7 miliardë dollarë, më pak se gjysma e 14.9 miliardë dollarëve në vitin 2016.

Si kontribuon filmi ekonomikisht
Vende të reja pune
Nxit turizmin
Nxit bashkëpunimin ndërkombëtar
Rrit imazhin e një vendi

MONITOR

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *