OBSH: Qarkullimi i Delta dhe Omicron në të njëjtën kohë, po shkaktojnë ‘cunami rastesh’
Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Gebreyesus, tha se qarkullimi i Delta dhe Omicron në të njëjtën kohë, ka shkaktuar “një cunami rastesh”.
I pari i OBSH-së, beson se Delta dhe Omicron janë kërcënim i dyfishtë që po nxit rekorde negative në numrin e rasteve të infektuarve – sikurse edhe po sjell rritje të numrit të hospitalizuarve dhe të vdekurve, transmeton Telegrafi.
Tedros u ka bërë sërish thirrje vendeve që në mënyrë më të drejtë të bëjnë shpërndarjen e vaksinave, duke paralajmëruar se vaksina përforcuese “booster” në vendet e pasura do të mund të linte ato të varfra pa vaksina.
Ai gjithashtu tha se OBSH po udhëheq fushatën që çdo vend të arrijë qëllimin prej 70 për qind të popullatës të vaksinohet, e shpreson se kjo do të arritët deri kah mesi i vitit të ardhshëm – që do të ndihmojë t’i jepet fund fazës akute të pandemisë.
Nata e ndërrimit të moteve do të shënohet si vit i dytë që kur Kina paralajmëroi OBSH-në, për 27 raste me “ndezje virusale të mushkërive” në Wuhan.
E prej asaj kohe janë regjistruar mbi 281 milionë njerëz të infektuar me coronavirus në mbarë botën, ku 5 milionë tjerë humbën jetën.
Rruga Press