Banka e Shqipërisë drejt heqjes dorë nga krijimi i platformës për pagesat me kartë
TIRANË – Banka e Shqipërisë mund të heqë dorë prej idesë së ngritjes së një platforme kombëtare të procesimit të pagesave me kartë. Ngritja e një platforme të tillë ka qenë pjesë e diskutimeve në Komitetin Kombëtar të Sistemit të Pagesave për disa vite me radhë dhe për këtë qëllim është kryer një analizë, edhe në bashkëpunim me Bankën Botërore.
Por, në konkluzion të analizës dhe diskutimeve, duket se një ide e tillë duket se nuk ka gjetur shumë mbështetje, për shkak se palët e përfshira kanë gjykuar që përfitimet e mundshme nga ngritja e një sistemi të tillë nuk do të justifikonin kostot e investimit të nevojshëm.
Në fakt, një studim i Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore kishte treguar se kartat bankare në Shqipëri ngelen një instrument relativisht i shtrenjtë për bankat dhe rrjedhimisht kostot përcillen edhe tek ofruesit dhe përfituesit e pagesave me kartë bankare. Një skemë kombëtare si ajo që diskutohej në teori mund të sillte ulje të kostove me të paktën 30% në raport me skemat e ofruara nga ofruesit ndërkombëtarë të kartave.
Sipas studimit, kostot janë një barrierë e konsiderueshme sidomos për ofrimin e shërbimit të pagesës me kartë nga tregtarët. Mbështetur në të dhënat e vitit 2019, komisionet e aplikuara nga bankat shqiptare për pranimin e pagesave me kartë ishin në intervalin midis 1.8% dhe 3.3% të shumës së përgjithshme të transaksionit. Në një masë të madhe, këto kosto lidhen me komisionet e procesimit ndërbankar të pagesave me kartë, që përcaktohen nga dy ofruesit kryesorë, Visa dhe Master Card. Komisionet e vendosura nga Visa dhe Master Card tentojnë përgjithësisht të jenë pranë kufirit të sipërm të intervalit, që për Visa është 2.02% dhe për Master Card 2.6%.
Këto tarifa janë mjaft të larta krahasuar me limitet rregullatorë të vendosura nga Bashkimi Europian, që për kartat e debitit është 0.2% dhe për ato të kreditit 0.3%. Madje, studimi tregon se tarifat për Shqipërinë ndjeshëm më të larta jo vetëm me BE-në, por edhe me tregje më të krahasueshme me Shqipërinë.
Më shumë se 98.5% e kartave bankare në Shqipëri janë Visa dhe Master Card, çka tregon varësinë pothuajse totale të pagesave me kartë në tregun shqiptar nga dy kompanitë e mësipërme. Megjithatë, përdorimi i kartav të këtyre markave nuk e përjashton aspak mundësinë e shlyerjes lokale të transaksioneve të kryera me to. Banka e Shqipërisë pati identifikuar ngritjen e një platforme kombëtare të pagesave me kartë (National Card Switch) si një zgjidhje të mundshme për uljen e kostove dhe për nxitjen e pagesave me kartë bankare në Shqipëri. Aktualisht, në Shqipëri ekziston një kompani e licencuar nga Banka e Shqipërisë si operator kombëtar për ofrimin e shërbimit të pagesave me kartë.
Sipas statistikave zyrtare, aktualisht sektori bankar shqiptar në fund të 9-mujorin 2021 kishte 1.33 milionë karta aktive. Megjithë rritjen e pagesave direkte në pikat elektronike të shitjes (POS), sidomos pas pandemisë, përdorimi i kartave ngelet i dominuar kryesisht nga tërheqjet cash në bankomate. Sipas Bankës së Shqipërisë, vetëm 11% e vlerës totale të veprimeve me karta bankare konsistonte në blerje në POS. (MONITOR)