Skandali në Festivalin e RTSH-së, Kënga “Jon” shoqërohet në prapavijë me pamjet e një prej kriminelëve më të tmerrshëm të vitit 1997
Nga pas orkestrës, në “led-in” e madh projektoheshin pamje që lanë të gjithë me gojë hapur.
Mbrëmjen e djeshme u zhvillua nata e tretë e Festivalit Kombëtar që do të përcaktojë se kush do të jetë këngëtari apo këngëtarja që do të na përfaqësojë në Eurovizion. Por po ashtu edhe dje u luajt kënga e Ardit Gjebreas e titulluar “Jon”, e cila u shkrua për eksodin e vitit 1991, kohë kur shqiptarët largoheshin në masë nga Shqipëria për një të ardhme me të mirë.
Ndërsa nga pas orkestrës, në “led-in” e madh projektoheshin pamje që lanë të gjithë me gojë hapur. Në ekran shfaqet Myrteza Çaushi, i njohur me nofkën “Zani i Çoles”, i shoqëruar nga anëtarë të bandës së tij, ndërsa nuk mungon as deputeti i ndjerë i Partisë Demokratike, Azem Hajdari.
Të dyja këto figura nuk kanë lidhje fare me eksodin e vitit ’91! Pse vallë duhej vendosur “Zani”, një person i dënuar me burg përjetë për shkak të krimeve që ka kryer në Vlorë dhe jo vetëm, në “prime-time” në televizionin që paguhet me taksat e popullit shqiptar?
Rruga Press