Gjermania blen një milion pilula nga Pfizer për trajtim të koronavirusit
Gjermania ka blerë një milion pilula për trajtim të koronavirusit nga kompania farmaceutike, Pfizer, ka thënë ministri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbach.
Dërgesat e para të ilaçit me emrin Paxlovid pritet të arrijnë në Gjermani në muajin janar, ka thënë Lauterbach për agjencinë e lajmeve, dpa, duke shtuar se pilula është shumë premtuese.
“Pres që përmes saj të parandalojmë rastet serioze të infektimit që përfundojnë në kujdesin intensiv”, ka thënë ai.
Administrata amerikane për Ushqim dhe Ilaçe (FDA) ka lëshuar miratim urgjent për këtë pilulë.
Ministri gjerman ka thënë se edhe shteti i tij i ka dhënë dritën e gjelbër këtij ilaçi.
Sipas kompanisë prodhuese, pacientët duhet të marrin tri pilula në ditë për pesë ditë.
Ndonëse ilaçet sikurse Paxlovid konsiderohen si armë e fuqishme për luftim të pandemisë, ato janë më të shtrenjta dhe më vështirë për t’u dhënë.
Sipas të dhënave të Institutit Robert Koch, Gjermania ka vaksinuar 70.9 për qind të popullsisë kundër koronavirusit.
Kjo i bie që 59 milionë banorë të Gjermanisë janë të vaksinuar plotësisht.
Të paktën 30.4 milionë prej tyre kanë marrë edhe dozën përforcuese të vaksinës, apo 36.6 për qind e popullsisë.
Autoritetet gjermane presin valë të re të infektimeve me koronavirus në muajin janar, për shkak të përhapjes së variantit Omicron të këtij virusi.
Rruga Press