Pandemia nuk ndali trafikun e drogës nga Shqipëria, tonelata droge, armë e mjete luksoze u sekuestruan nga Italia
Pandemia Covid 19, e cila detyroi mbylljen e kufijve mes Shqipërisë e Italisë si dhe limitoi në maksimum lëvizjen brenda territorit italian, nuk mundi të ndalë aktivitetin e grupeve kriminale shqiptare me veprim në Itali e trafikun e drogës mes dy vendeve.
Sipas dokumentacionit të siguruar nga RTV Ora, gjatë operacioneve të ekzekutuara vetëm nga autoritetet e Guardia di Finanza Italiane, nga janari i 2020 e deri në fund të nëntorit 2020, grupeve kriminale shqiptare me veprim mes Shqipërisë e Italisë u janë sekuestruar rreth 2500 kg marijuanë, rreth 380 kg hashash, rreth 50 kg kokainë, rreth 25 kg heroinë, armë muncione, vaj hashashi, para të thata, automjete luksoze, gomone e mjete të tjera lundruese.
Vlera e drogës së kapur kapërcen disa milionë euro e kjo sasi shumëfishohet nga sekuestrimet e kryera gjatë operacioneve të tjera të Antimafias, Antidrogës e të Policisë Italiane që çuan në zbardhjen e trafikut të lëndëve narktotike nga Shqipëria drejt Italisë e vendeve të tjera të Europës, si dhe në arrestimin e narkotrafikantëve shqiptarë.
Shumica e lëndës narkotike me prejardhje nga Shqiëpria është trafikuar përmes rrugës detare e përpos gomoneve me marijuanë e hashash, gjatë vitit 2020 nuk është ndaluar as trafiku i drogave të rënda si kokainë e heroinë.
Sipas dokumentacionit zyrtar të siguruar nga RTV Ora, më 21 janar të 2020 një operacion i Guardia di Finanzës Italiane çoi në sekuestrimin e 16.3 kg heroinë e nisur nga Shqiëpria përmes tragetit të linjës Durrës-Ankona.
Droga ishte fshehur në automjetin e një korrieri shqiptar 37 vjeçar, së bashku me një sasi parash cash. Pak ditë më vonë më 13 shkurt 2020 një tjetër shqiptar 32 vjeç do të vihej në pranga nga Guardia di Finanza e Veronës, e iu sekuestruan 10 kg kokainë me vlerë 2 milionë euro.
25 kg të tjera kokainë u kapën gjatë operacionit të koduar “Besa” në Trento, ekzekutuar më datë 5 mars 2020 i cili dokumentoi dhe trafikun e 10 kg të tjera kokainë.
Më 10 prill 2020 në portin e Barit në një automjet drejtuar nga një shtetas shqiptar i ardhur me tragetin e linjës Durrës-Bari, Guardia di Finanza sekuestroi 12 kg kokainë e 8 kg heroinë e vetëm pak ditë më parë më 24 nëntor 2020 po në territorin e provincës së Barit, gjatë një kontrolli rrugor, Policia Financiare italiane sekuestroi 2.3 kg kokainë në një automjet drejtuar nga një 40 vjeçar shqiptar.
Pandemia Covid 19 nuk mundi të ndalë as gomonet me drogë të nisura nga Shqipëria. Rruga e trafikut të drogës përmes Adriatikut mbetet ndër më të frekuetuarat nga trafikantët shqiptarë.
Më 19 shkurt 2020 një operacion i Guardia di Finanza të Leçes çoi në kapjen e një gomone me drogë e nisur nga Shqipëria ku u sekuestruan 450 kg marijuanë, 75 kg hashash, 3.5 litra vaj hashash si dhe armë e municione.
Më 28 prill 2020, një tjetër operacion i Guardia di Finanza në Bari, do të çojë në kapjen e një gomone të nisur nga Shqipëria me rreth 900 kg drogë; 646 kg marijuanë e 250 kg hashash me një vlerë prej 10 milionë euro.
Më 18 maj 2020 në ujërat territoriale të Barit, Guardia di Finanza do të kapte gomone e nisur nga Shqipëria me 5 milionë euro drogë e vlefshme me 546 kg marijuanë e 17 kg hashashs të sekuestruar.
As një muaj më vonë, më 7 qershor 2020 në ujërat territoriale të Puglias Guardia di Finanza e Barit do të kapte gomonen e nisur nga Shqipëria me 300 kg marijuaë e 26 kg hashash e do të vinte në pranga skafistin shqiptar.
Një javë më vonë më 15 qershor 2020 Guardia di Finanza e Leçes do të sekuestronte gomone me 350 kg marijuanë me një vlerë rreth 3.5 milionë euro. Tre skafistë, 2 shqiptarë e 1 italian do të vihen nën pranga nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës.
Në 17 gusht 2020 një operacion i finacierëve të Barit do të çonte në sekuestrimin e 152 kg marijuanë, 26 kg hashash me vlerë 2 milionë euro në një gomone të nisur nga Shqipëria, në pranga u vunë dy skafistët, një shqiptar e një italian.
Gjatë vitit 2020 u ekzekutuan dhe disa mega-operacione të rëndësishme që përfshinë autoritetet policore shqiptare e italiane si dhe ato të disa vendeve europiane që çuan në shkatërrimin e grupeve kriminale shqiptare lider në trafiku ndërkombëtar të drogës.
I tillë ishte operacioni “Los Blancos” i 17 shtator 2020, i cili çoi në shkatërrimin e një karteli shqiptar droge të quajtur “kompania Bella” e akuzuar për trafikun e rreth 4 tonë kokainë mes Ekuadorit, SHBA, Emirateve të Bashkuara, Belgjikë, Itali, Holandë, Gjermani, Greqi, Turqi, Zvicër etj.
Po ashtu dhe oepracioni i koduar “Kulmi”, ekzekutuar më 30 qershor 2020, i cili çoi në 37 masa ndalimi mes Shqipërisë e Italisë e në sekuestrimin e një sasie droge me vlerë miliona euro.
Sipas raportit të fundit të Antidrogës Italiane, viti 2019 shënoi në Itali vitin rekord të sekuestrimit të kokainës me një rritje me 127.61% në krahasim me vitin 2018 e në shumicën e operacioneve të sekuestrimit të saj është zbardhur roli dominues i trafikantëve shqiptarë.
Shqipëria mbetet rruga kryesore e trafikut të marijuanës në Itali e grupet kriminale shqiptare ndër më aktivet në trafikun e lëndëve narkotike të tipit marijuanë, kokainë e heroinë, me një nivel organizimi gjithnjë e më i sofistikuar.
Me shumë gjasa dhe viti 2020 do të konfirmojë “lidershipin” e grupeve kriminale shqiptare në trafikun e lëndëve narkotike në Itali e Europë.
Italia më 2019 ka regjistruar rekordin e sekuestrimit të kokainës i verifikuar gjatë 10 viteve të fundit e shumica e kësaj sasie trafikohej për interes apo me ndërmjetësimin e trafikantëve shqiptarë në bashkëpunim me mafian e krimin e organizuar italian.