Prostitucion në qendrën e masazhit, arrestohet menaxheri, në kërkim pronari
Policia ka vënë në pranga në Tiranë menaxherin e një qendre masazhi, ndërsa ka shpallur në kërkim pronarin, pasi akuzohen për shfrytëzim prostitucioni.
Në pranga është vënë shtetasi K. Sh., 28 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u shpall në kërkim pronari i kësaj qendre, shtetasi E. Sh., 23 vjeç.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pasi kishin siguruar të dhëna në rrugë operative se në rrugën “Don Bosko” disa shtetase shfrytëzoheshin për prostitucion nga menaxheri dhe pronari i një qendre masazhi, kanë organizuar punën për të dokumentuar veprimtarinë kriminale të këtyre shtetasve.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, rekrutonin femra nëpërmjet rrjeteve sociale, me pretendimin për t’i punësuar si masazhatore dhe më pas i detyronin ato që t’iu ofronin klientëve të qendrës së masazhit edhe shërbime seksuale. Klientët e kësaj qendre bënin pagesa për dy shërbime dhe përfitimet ndaheshin ndërmjet administratorit dhe punonjëseve që kryenin këto shërbime”, thuhet në njoftimin e policisë.