BallinaLajme

Drafti i Venecias: Ndryshimet e Kodit, teknikalitete. Ligjshmërinë ta vendosë Kushtetuesja

Komisioni i Venecias vlerëson se ndryshimet e Kodit Zgjedhor të 5 tetorit nuk cekin elementët që vlerësohen si thelbësorë për pasjen e një procesi të drejtë zgjedhor, por janë më shumë ndryshime teknike për të reflektuar ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut.

Në draft-opinionin e bërë publik këtë të mërkurë, ekspertët e Venecias i shmangen debatit mbi kushtetutshmërinë e këtyre ndryshimeve, duke ja pasuar këtë interpretim Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, menjëherë sapo ajo të jetë funksionale.

“Komisioni i Venecias dhe ODIHR analizojnë procedurën dhe përmbajtjen e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në raport me standardet ndërkombëtare. Opinioni nuk do të adresojë kushtetutshmërinë e këtyre ndryshimeve. Kjo duhet të jetë një detyrë e Gjykatës Kushtetuese sapo ajo të jetë funksionale”, thuhet në draft raportin e Venecias.

Në lidhje me procedurën, ekspertët e Venecias theksojnë në draft-opinion se ndryshimet ishin tejet të nxituara dhe u kryen pasi Presidenti kishte shpallur datën e zgjedhjeve.

“Duhet theksuar se në këtë kontekst, ndryshimet e bëra hynë në fuqi pasi Presidenti kishte thirrur zgjedhjet, që do të thotë pas hapjes së procesit zgjedhor”, thuhet në draft.

Sa i takon procedurës, Venecia qorton nxitimin për të ndryshuar Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor. Ekspertët e Komisionit thonë se kishte mundësi për më shumë gjithëpërfshirje në të dyja këto procese, megjithëse theksojnë se mungesa e dakordësisë s’mund të ndalojë Parlamentin nga ushtrimi i detyrave të tij. Duke u ndalur tek numri i deputetëve në Parlament, në këndvështrimin e Venecias, plotësimi i kuorumit për të funksionuar është i mjaftueshëm për të legjitimuar këtë institucion.

Ky është thelbi i vlerësimit të Komisionit të Venecias sa i takon procedurës. Ndërkohë, në lidhje me përmbajtjen e ndryshimeve të 5 tetorit, Komisioni ka vërejtje për disa nene.

“Ndryshimet janë më shumë teknike dhe mund të kenë një ndikim pozitiv në zgjedhjet e radhës. Megjithatë, disa nene kërkojnë më shumë vëmendje”, thuhet në draft.

Komisioni ka vërejtje për pikën 3 të nenit 65, që ka të bëjë me rolin udhëheqës të një partie brenda një koalicioni me lista të përbashkëta. Venecia thotë se ky parashikim penalizon partitë e vogla duke mos lejuar koalicionet “si të barabarta” që këto parti mund të nënshkruajnë me partitë më të mëdha.

“Është me rëndësi të theksohet se parimi i barazisë në garë garantohet nga marrëveshjet dhe standardet ndërkombëtare”, thuhet në draft-opinion.

Venecia vëren paqartësi edhe mes Kushtetutës dhe parashikimeve të Kodit Zgjedhor, sa i përket termit “koalicion”.

“Megjithëse i hequr nga neni 68 i Kushtetutës, termi “koalicion” gjendet në pikën e 1 të nenit 96 të saj, ku thuhet se “Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë, ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend”. Në rast refuzimi, Presidenti duhet të caktojë një Kryeministër tjetër. Nga diskutimet e zhvilluara në Shqipëri, nuk rezulton se “koalicioni i partive” i përmendur në nenin 96 të Kushtetutës ka të njëjtin kuptim si në Kodin Zgjedhor. Kjo duhet të sqarohet para zgjedhjeve të 2021, mundësisht përmes një marrëveshjeje politike”, thotë Venecia.

Megjithëse ekspertët e Venecias nuk e vlerësojnë ndryshim thelbësor formulën e koalicioneve, ata nuk përjashtojnë mundësinë që këto ndryshime të kenë ndikim në rezultatin zgjedhor.

“Këto ndryshime kanë pak gjasa që të çojnë në ndryshimin e ndarjes së një numri të madh mandatesh. Sidoqoftë, në një garë të ngushtë zgjedhore, këto ndryshime mund të jenë vendimtare për marrjen e shumicës së mandateve në Parlament”, thotë drafti.

Ndryshimi i pragut nga kombëtar (3 për qind për partitë dhe 5 për qind për koalicionet) në 1 për qind rajonal, sipas Venecias nuk është ndryshim thelbësor.

Venecia qorton parashikimin e vendosur në Kodin Zgjedhor, sipas të cilit kryetari i partisë mund të kandidojë në 4 qarqe. Komisioni thotë se është e dyshimtë që takimi preferencial i udhëheqësve politikë legjitimohet. Komisioni kujton se kjo praktikë është qortuar në raportin e zgjedhjeve në 2009 dhe kërkon që ky parashikim të hiqet pas zgjedhjeve të 2021.

Venecia i bën thirrje klasës politike që të shmangë ndërhyrje të tjera në Kodin Zgjedhor para zgjedhjeve të 25 prillit dhe udhëheqësve të partive u kërkon që të mos kandidojnë në më shumë se një zonë elektorale.

Komisioni do të mblidhet më 10-12 dhjetor në seancë plenare, ku ky draft do të kalojë për miratim, për t’u zyrtarizuar.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti vendos gurthemelin e nënstacionit policor të policisë kufitare në Izvor të Zveçanit, dy kilometra nga kufiri me Serbinë

YouTube player