Editorial

Krishtlindje pa Kaun

Editorial nga Klark Kodra

Marrëdhënia e shoqërisë dhe besimit lidhet ngushtë, përsakohë besimi është treguar të jetë ndikues i rëndësishëm në gjëndjet e njeriut i cili nuk beson, e jo më besimtarit.  Krishtlindjet janë shenja që ofron besimi që njeriu refugjat, pa derë e pa han, përtej kushteve të persekutimit e përndjekjes, të përzënurit e varfërisë, me praninë e dy prindërve, një ka e një gomar si shenjë e punës, tre dijetarësh e tre barinjsh, të prodhojë mbretin e ri që do ndërrojë çdo kontekst politik e historik, fetar e pragmatist, të njerëzores e hyjnores, njeriut e ndjesores.

Po kalojmë këto ditë rikujtese e kremtim Krishtlindjesh. Në kushte konsumerizmi, tradite a besimi, familjes shqiptare i duhet të gëzojë pa qënë në familje. Tryezës çdo vit i mungon puna ose dija, e shpresh herë edhe puna edhe dija. Në rreth 2,83 milionë banorë shqiptarë1, rreth 1,68 milionë shqiptarë jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë, 884,719 meshkuj e 799,416 femra2. Në tavolinën e Krishtlindjes, nga 4 familjarë vetëm 2 i takojnë të ulen në tryezë. Në sheshet e qyteteve ku brredhi artificial është ndriçuar, vetëm gjysma e banorëve do ja shohë dritën. Gjysmës tjetër i duhet të jetojë për të krijuar kushtet e jetesës gjysmës tjetër.

Aktualisht, janë 18 mijë shqiptarë që studiojnë jashtë. 95%3 e tyre nuk duan të kthehen në Shqipëri e 79% 4 e studentëve aktualisht në Shqipëri duan të ikin të studiojnë jashtë. Kostot për studime jashtë vendit për familjet shqiptare, duke llogaritur qiratë, tarfiat, dokumentacionet, shpezimet ditore në varësi të vendit e univeristetit, tregohet të jenë në një mesatare vjetore në shumën e 8000 eurove për student në vit. Janë 140 milion euro të pa qëna në buxhetin e shqiptarëve.5 Janë 140 milion euro vjetore të garantuara të jenë të eksportuara. Për të vijuar me kosto, kosto totale të arsimimit të personave të cilët largohen nga Shqiperia në një vit variojnë nga 330 deri në 504 milion euro. Kostoja opurtune e humbur, cfarë i mungon sot buxhetit të Shqipërisë përllogaritet të jetë 456 milion euro në vlerë të shtuar bruto të humbur. Në mungesë të politikave të duhura të punësimit, orientimit drejt punësimit e mungesës së krahut të punës në tregun shqiptar vlera e shtuar bruto e humbur arrin në 559 milion euro.6  Sa për ta vendosur këtë shumë në kontekst, aeroporti që qeveria dëshiron të ndërtojë në Vlorë i kushtoi konsorciumit ndërtues 103 milionë euro e do ta ketë operimin për 35 vite7. I gjithë fondi i procesit të rindëritmit nga pasojat e tërmetit mbart vlerën e rreth 300 milionë euro.8

Arkës buxhetore të shoqërisë shqiptare po i mungon kau që e tërheq. Kau i familjeve shqiptare mungon.  Qeveria s’di të thotë, nëse kaun e humbi apo e fali. Këtyre Krishtlindjeve i mungoi kau.

  1. Instituti i Statistikave; “Popullsia e Shqipërisë”; artikull; faqe ueb: http://www.instat.gov.al/al/statistikat-n%C3%AB-shkolla/popullsia-e-shqip%C3%ABris%C3%AB/
  2. Instituti i Statistikave; “Diaspora e Shqipërisë në Shifra”; artikull; [pdf]; faqe ueb: http://www.instat.gov.al/media/7848/diaspora-ne-shifra-2020.pdf
  3. Revista Monitor; “Ikja e të rinjve, fenomeni i largimit është më i lartë në Shqipëri, se kudo tjetër në Europë”; artikull; faqe ueb: https://www.monitor.al/ikja-e-te-rinjve-fenomeni-i-largimit-eshte-me-i-larte-ne-shqiperi-se-kudo-tjeter-ne-europe/
  4. Po e njëjta.
  5. Po e njëjta.
  6. WFD; Westminister Foundation for Democracy; “Kostoja e emigracionit tek të rinjtë”.
  7. News24 Albania; “Nënshkruhet kontrata për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Rama: Fluturime transoqeanike”; ; faqe ueb: https://www.youtube.com/watch?v=A8bSM6k4Koc
  8. Euronews Albania, “Arben Ahmetaj: Fondi i rindërtimit për 2022 shkon në 350 mln dollarë”; ; faqe ueb: https://www.youtube.com/watch?v=BElqg3xKGcc

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *