Ç’aromë kishte Europa në vitin 1500? Studiuesit po përpiqen ta rindërtojnë atë përmes inteligjencës artificiale
Çfarë arome kishte Evropa në vitin 1500? Kjo është pyetja e shtruar nga një grup historianësh, shkencëtarësh dhe ekspertësh të inteligjencës artificiale që i dhanë jetë “Odeuropa”, një projekt kurioz që synonte rindërtimin e aromave dhe esencave, të cilat do të kishte nuhatur një udhëtar nga Kontinenti i Vjetër midis shekujve XVI edhe XX.
Projekti 3-vjeçar, i financuar me 2.8 milionë euro, do të përdorë inteligjencën artificiale për të skanuar dhjetëra mijëra faqe tekstesh, të hartuara në të gjithë Evropën në mbi 500 vjet, në kërkim të referencave të nuhatjes. Jo vetëm kaq, një sistem i njohjes së imazhit do të bëjë një eksplorim, midis pikturave dhe veprave të artit, duke u përqendruar në të gjitha ato elemente vizuale, që mund të lidhen në një farë mënyre me aromat, nga ushqimi te lulet dhe kafshët.
Të gjitha këto të dhëna do të derdhen në një lloj enciklopedie të aromave, një projekt i madh në internet, ku të gjitha aromat e hasura në 5 shekuj të artit dhe letërsisë do të përshkruhen dhe katalogohen.
“Në tekstet e lashta shpesh gjejmë referenca ndaj aromave; nga ato që lidhen me jetën fetare, si temjani, te të tjerët tipike të jetës së përditshme, si duhani,” shpjegon për mediat William Tullett, nga Universiteti Anglia Ruskin në Kembrixh dhe anëtar i Odeuropa . Disa aroma në të kaluarën kishin një konsideratë të veçantë: rozmarina, për shembull, konsiderohej nga mjekët e viteve 1600 si një barrierë kundër murtajës, ndërsa kripërat e amonit ishin përdorur si një ilaç kundër lodhjes dhe të fikëtit.
Aromat e tjera kanë formuar jetën shoqërore dhe ekonomike të Kontinentit të Vjetër dhe me kalimin e kohës perceptimi i tyre ka ndryshuar thellësisht. Për shembull, duhani, i cili mbërriti në Evropë në vitet 1500 dhe u vendos si një produkt ekzotik, për t’u bërë, në disa dekada, pjesë e nuhatjes në shumicën e qyteteve. Dhe kohët e fundit në aromë të keqe dhe në një zakon që duhet kufizuar në çdo mënyrë.
Sapo të përfundojë odoropedia, studiuesit do të fillojnë të punojnë me kimistë dhe teknikë për të rindërtuar gjurmët e nuhatjes të së kaluarës. Qëllimi i tyre është t’i përdorin ato për muze dhe vende historike, për ta bërë përvojën e vizitorëve më tërheqëse dhe realiste.