Basha reagon për raportin e FMN: Konfirmon atë që i kemi kërkuar qeverisë
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi në rrjetet sociale në lidhje me raportin e publikuar së fundmi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për situatën në Shqipërisë.
Kryedemokrati Basha e cilësoi si tepër kritik raportin e FMN, i cili konfirmon atë që opozita ka thënë prej muajsh për ndihmën e vogël financiare që qeveria ka dhënë për qytetarët gjatë pandemisë.
“Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi një raport kritik mbi situatën ekonomike në Shqipëri. Raporti konfirmon atë që ne i kemi kërkuar qeverisë Rama për muaj me radhë: të japë më shumë ndihmë financiare familjeve shqiptare.
Raporti thekson: “Paketat e mbështetjes COVID-19 të Shqipërisë janë më të vogla se mesatarja e atyre në tregjet në zhvillim dhe Ballkanin Perëndimor”. Shqipëria është ndër vendet që ofrojnë ndihmën më të vogël ekonomike për qytetarët”, shkruan mes të tjerash Basha.