Albin Kurti: Kemi humbur shumë kohë, shqiptarët duan të ndryshojnë dhe ta ndërrojnë përfaqësimin politik
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti ka thënë sot se është humbur shumë kohë, e në ndërkohë shqiptarët duan të ndryshojnë dhe ta ndërrojnë përfaqësimin politik.
Kurti një ditë pas zgjedhjeve në Podujevë, kur nga rezultatet fitues është kandidati i LVV-së, Shpejtim Bulliqi ka shkruar në Facebook se komuna do të jetë e qytetarëve, e jo e komunarëve.
Lexoni të plotë postimin:
“Bashkatdhetarët tanë dikur kanë mërguar jashtë Kosovës për shkak të të këqijave të shtetit okupator serb. E, ka kohë që shqiptarët po shpërngulen për shkak të pushteteve tona të këqija. Ama së fundmi, ata kanë nisur ta përjetojnë këtë si një ikje nga vetja, si një deformim nga stërzgjatja. Në shekullin XX, gjyshi e babai ishin gastarbeiter, e tash njësoj u dashka edhe djali e nipi në shekullin XXI?
Nuk mund të vazhdojë mërgimi që të vazhdojë sundimi. Shqiptarët duan ta ndryshojnë pamjen në pasqyrë, ta ndërrojnë përfaqësimin politik, ta reformojnë veten. Pra, dëshirojnë ta bëjnë vetveten, t’i përbëjnë institucionet, e jo të bëjnë si u thonë ata prej atje lart e larg, që pasurohen gjersa përbetohen. Njerëzit duan të qëndrojnë, teksa kërkojnë drejtësi dhe punë, tash dhe këtu.
Shumë kohë të vlefshme kemi humbur të dashur qytetarë. Shpejtimi është i domosdoshëm. Urime të gjithëve fitorja në Podujevë e ngritja në Mitrovicë, dhe, ju faleminderit secilit prej jush!