Çfarë tregoi rezultati i zgjedhjeve në Podujevë?
Nga Elvis Hoxha
Janë tri njësi që shprehen:
- 1. Lëvizja Vetëvendosje!
- 2. LDK-ja
- 3. Publiku
Rezultati thotë gjithnjë një kapje sintetike të së dhënës. Dhe rezultati është: fitore e LV-së pa nevojën e balotazhit, aty ku LDK-ja ka atë që e konsideron bastionin e vet. Por bastioni nuk është i regjistruar në terma historie, por në terma pushteti. Dhe gjithnjë, pas statuquosë, vjen ndërhyrja e historisë, ose e veprimit politik të njerëzve. Ngaqë historia është ndërhyrje njerëzore politike në rendin e vendosur prej pushtetit. Podujeva ishte bastion për pushtetin e LDK-së, por jo për vërtetësinë e saj. Nuk e përcakton pushteti bastionin, por vërtetësia historike.
Nga pikëpamja e saj jashtë aktualitetit, LDK-ja e Isa Mustafës prodhoi përjashtimin e Vjosa Osmanit, LDK-ja e Agim Veliut prodhoi rrëzimin e qeverisë Kurti, LDK-ja e Abdullah Hotit prodhoi qeverinë e paligjshme, LDK-ja e Skënder Hysenit prodhoi qarkun e shkurtër të marrëdhënieve me Grenellin, LDK-ja e Driton Selmanajt prodhoi tezën e harresës së viktimave dhe të zhdukurve të gjenocidit serb. Kaq në vija të përgjithshme.
Natyrisht, pas humbjes, zërat kryesorë të LDK-së së Isa Mustafës na thanë se humbja iu erdhi prej shkatërrimit të koalicionit. Ndërkohë, prishja e koalicionit ishte bërë me tre hapa të vetë këtij subjekti. Ai i premtoi vetë Albin Kurtit se do të largoheshin nga koalicioni sapo të mbaronte pandemia. Hapi i dytë ishte kërkimi i gjendjes së jashtëzakonshme që e kthente Thaçin në udhëheqës ekzekutiv të shtetit. Hapi i tretë ishte rrëzimi i qeverisë Kurti vetëm për të rrëzuar reciprocitetin, dhe kjo me ndihmën e diplomatit më jo-amerikan dhe më anti-evropian, Grenellit.
Ndërsa, personazhi kryesor i dramës, Agim Veliu, deklaroi se humbja erdhi ngaqë LV-ja është mashtruese. Nëse populli Podujevës e ha mashtrimin, atëherë shumë gjatë duhet të ketë përfituar nga ky mashtrim vetë kryetari historik i Komunës, pra vetë Agim Veliu.
Nga ana tjetër, në mendjet e njerëzve flet edhe një tjetër e dhënë: shkëmbimi i favoreve mes Mustafës dhe Thaçit. Pra, njëri ofron gjykatën speciale kundër UÇK-së, tjetri i ofron për këtë pozicionin e presidentit. Këtë aleancë perverse, të kurorëzuar me lulet që Hashim Thaçi ia ofroi vetë të bijës së Kosovës, përbën një nga çastet më zbulues të koalicionit të vërtetë që po qeveriste Kosovën. Përpjekja e LV-së për me e tërheqë LDK-në nga pakti me Thaçin, nuk mundi t’i japë LDK-së ndonjë të vërtetë pozitive dhe as publikut ndonjë besim te ndryshimi i politikës së LDK-së së Mustafës, Veliut dhe Hotit.
Pra LDK-ja u shndërrua në një subjekt absurd me trë përbërës:
1. E humbi vërtetësinë e saj historike falë mbështetjes që i bëri Thaçit, të cilin e akuzonte për krimet e kryer ndaj shumë figurave të saj.
2. Për të sajuar një qeveri të paligjshme falë interpretimit anti-kushtetues të Kushtetueses, përbërësi i dytë i ekzistencës absurde të LDK-së në politikë, e vendosi mocionin kundër Qeverisë Kurti mu bash në mes të pandemisë dhe mbi një koalicion po aq absurd me AAK-në (LDK-ja kundër reciprocitetit mendonte koalicion qeveritar me Haradinaj, mbrojtës “i vendosur” i taksës).
3. Në kulmin e absurdit, nëpërmjet klanit të saj drejtues, LDK-ja përjashtoi përfaqësuesin dhe kandidaten e saj për kryeministre, përjashtoi më të votuarën e vet, pikërisht kur vetëm një pjesë e vogël e klanit kishte provuar veten tek elektorati.
Mund të themi se, në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të Podujevës, klani drejtues i LDK-së ka dy mangësi themelore të cilat Agim Veliu nuk mund t’i pranojë dot, ngaqë në personin e tij shpreh këtë mangësi.
1. Klani i përgjithshëm i LDK-së, për mos me thënë këshilli i përgjithshëm i saj, është besëprerë ndaj votuesve të saj.
2. Ky klan nuk ka asnjë mundësi të ndryshojë gjërat. Sepse sëmundja nuk e shëron vetveten, atë e shërojnë antitrupat. LDK-ja, me këtë klan drejtues që ka, e ka sëmundjen në aparatin drejtuesit të trupit të vetë.
Përse më intereson mirëqenia e LDK-së. Pasi është subjekti politik që bën bashkë një masë të madhe të votuesish që keqkuptojnë institucionalizmin dhe një masë të madhe votuesish që keqkuptojnë pacifizmin e saj. Kështu pra. Klani drejtues i LDK-së dhe të gjithë të interesuarit për korrupsionin e madh në institucionet e Kosovës kanë përfituar nga dy keqkuptimet e mësipërm. LDK-ja pacifiste dhe institucionaliste u është drejtuar votuesve të vet në ndjeshmërinë e majtë, por ka vepruar në aspektin e pushtimit të shtetit në variantin ultraliberal.
Tjetër linjë e keqkuptimit historik është ajo e shmangies së luftës si një ndërhyrje e tepërt, kur në fakt historiku dhjetëvjeçar i Kosovës (1989-1999) ka dy përbërës kronologjikë: luftën pacifiste për ndërkombëtarizim të çështjes dhe luftën ushtarake për marrje në dorë kombtarisht të çështjes. Por asnjëherë Isa Mustafa dhe të tijët nuk e kuptuan rolin e Luftës çlirimtare. Kjo u shpreh në fjalët e zv.kryeministrit të saj, Driton Selmanaj. Në mënyrë të përgjithshme ai hodhi poshtë tërë gjenocidin serb dhe tërë llojet e viktimave të këtij gjenocidi. Faza e tretë nuk i përket LDK-së, por Lëvizjes Vetëvendosje, e cila është lufta për institucionalizimin e brendshëm të shtetësisë së Kosovës, burim i vetëm për ndërkombëtarizimin e Kosovës, pra njohja e saj botërore në rritje.
Klani i përgjithshëm i LDK-së ndihmoi që votuesi i saj të dalë pak nga pak nga kapja nostalgjike dhe sentimentale e një rezistence masive, si dhe nga koalicioni pervers me Thaçin, i cili i pari e kishte vënë në dyshim luftën me dëmin që po i sillte shtetësisë së Kosovës në territor, institucion, negociata me pushtuesin historik dhe në depresion popullsie.
Ditë më të mira paskëtaj do të vijnë. Votuesi i LDK-së do të shohë se vlerësimi i vërtetë i vijimësisë mes rezistencës pacifiste (rugoviane), rezistencës luftarake (UÇK) dhe rezistencës institucionale (LV) është një rrjedhë historike e kulluar e dialektikës së pjekur politike. Për mendimin tim e tillë duhet të regjistrohet në manualet e historisë. Përsa kohë që klani i përgjithshëm i LDK-së e përdor emrin e Rugovës vetëm për të tradhëtuar këtë histori shqiptare të Kosovës, humbja e saj do të jetë edhe më e rëndë në zgjedhjet e përgjithshme… të cilat do të vijnë shumë shpejt./RrugaPress/
©RrugaPress Të gjitha të drejtat të rezervuara