PROPAGANDA E ULËT KUNDËR ALBIN KURTIT, VETËM SA E FORCON ATË
Shkruan Lirim Gashi
Është dallim i madh në mes të mesazhit të fjalimit të plotë të Albin Kurtit prej mesazhit të nxjerrur me qëllim të keq nga konteksti në fotografinë propagandistike të opozitës, që po bën gjiro nëpër mediat televizive dhe rrjetet sociale.
Dhe për ta bërë edhe më bindëse propagandën dashakeqe, fjalimit i është vënë me qëllim në prapaskenë fotografia e varrit të Muhamedit.
Unë nuk jam fetar, por Albin Kurti në këtë fjalim me të drejtë e lavdëron mençurinë e shumices së shqiptarëve myslimanë për të qëndruar te islami tradicional dhe te koekzistenca paqësore me format e tjera të besimit dhe mosbesimit, pavarësisht kurtheve nga islami ekstrem dhe demonizimit të islamit në përgjithësi nga kritikët hileqarë.
Çka ka këtu të keqe?
Në anën tjetër gabon rëndë kushdo që beson se besimtarët myslimanë nuk e kanë pasur vështirë pas 11 shtatorit 2001, që ta praktikojnë besimin si zakonisht pa u demonizuar, keqkuptuar dhe keqinterpretuar prej besimtarëve të feve të tjera dhe jo besimtarëve.
Sepse pikërisht besimtarët paqësorë myslimanë e kanë paguar më së shumti tributin e veprave të këqija të myslimanëve ekstremist.
Dhe pikërisht këtë të vërtetë po e konstaton Albin Kurti, asgjë më shumë dhe më pak.
Propaganda që po bëhet kundër Albinit edhe kësaj radhe po dëshmohet si dashakeqe, tendencioze dhe djallëzore.
Unë si jofetar shpesh i shfaqi bindjet e mia për fetë që dallojmë dukshëm prej atyre të Albinit.
E sidomos shkruaj kundër islamit ekstrem, por asnjë herë nuk pledoj për ndalimin e besimit paqësor të njerëzve në çfarëdo që ata dëshirojnë.
Mesazhi im është ky:
Le të besojnë nëse duan në macë, qen, derr, magaricë, mi të bardhë, mollë, dardhë dhe arrë por mos ta keqpërdorin besimin e tyre për dhunë ndaj jo besimtarëve dhe besimtarëve të formave të tjera religjioze dhe jo religjioze në Zot.
Thelbi është që besimi në një instancë mbi natyrore të mos keqpërdoret për dhunë ndaj njerëzve që nuk besojnë në të njëjtën mënyrë dhe në të njëjtën instancë.
Në vijim e keni fjalimin e plotë të Albin Kurtit.
Rruga Press