Epidemiologu: Nga janari mund të ketë mbi 10 mijë raste me Omicron, mos u trembni
Epidemiologu grek, Gikas Majorkinis, ka folur për rritjen e rasteve me Covid pas festave të fundvitit për shkak të variantit Omicron.
“Është shumë e mundur që të arrijmë 10,000 apo edhe 12,000 raste, kjo shifër nuk duhet të na trembë,” tha ai, duke shpjeguar se Omicron është shumë ngjitës dhe se jep simptoma të ftohjes së zakonshme.
Në një intervistë për televizionin SKAI, ai dha alarmin për të pavaksinuarit dhe u bëri thirrje të vaksinohen, pasi Omicron, për ta nuk do të jetë i butë: “të pavaksinuarit, të mos mendojnë se Omicron është me simptoma të lehta për ta”, nënvizoi ai.
Nga sot, 24 dhjetor, maska bëhet e detyrueshme në të gjitha ambientet e jashtme dhe të brendshme, madje edhe në palestra dhe lokale.
Sipas masave të reja qytetarët duhet të mbajnë dy maska në supermarketet dhe në mjetet e transportit publik. Masat kanë hyrë në fuqi sot në orën 06:00 të mëngjesit, 24 dhjetor, deri më 2 janar.
Greqia ka ndaluar organizmin e festave për Krishtlindje dhe Vitin e Ri, shkruan CNN Grek.
Për të gjithë personat që hyjnë në Greqi, përveç testit që kërkohet të bëjnë para se të hyjnë në vend, duhet të kryejnë tampon ditën e dytë dhe të katërt që nga momenti i mbërritjes në shtetin helen. Ndër të tjera rekomandohet testim për Covid, përpara çdo ngjarjeje, apo eventi social.
Rruga Press