Sociolinguisti Martin di Maggio: Zero ndihmë nga Shqipëria për ruajtjen e gjuhës arbëreshe
Shteti shqiptar ka dhënë zero kontribut për ruajtjen e kulturës dhe gjuhës arbëreshe. Kështu u shpreh në emisionin ‘Mirmëngjes’ në Euronews Albania, sociolinguisti arbëresh Martin di Maggio.
“Ka dhënë vetëm një fond për disa studime, të cilat fokusohen në gjuhën standarde shqipe”, u shpreh sociolinguisti.
Ai tha se mënyra se si arbëreshët e ruajnë gjuhën dhe traditën është duke mbajtur marrëdhënie me një-tjetrin dhe duke ua mësuar gjuhën fëmijëve.
Mirëpo kjo gjuhë rrezikon të zhduket, tha ai, jo vetëm sepse nuk ka një sistem për ta mirëmbajtur, por edhe për shkak të teknologjisë. Sidomos fëmijët janë në kontakt me teknologjinë, një dritare drejt globalizmit ku rrallë herë has shenja të gjuhës arbëreshe.
Në komunitetet arbëreshe në Itali ka shkolla të gjuhës shqipe. Mirëpo, Martin di Maggio thotë se këto shkolla janë të fokusuara në mësimin e gjuhës standarde shqipe, gjë që nuk ndihmon për ruajtjen e vlerave të gjuhës arbëreshe.
Këtë e vuri në dukje edhe gjuhëtarja Ledi Shamku, e cila tha se Shqipëria nuk ka nevojë “të kolonizojë” askënd, dhe duhet të kontribuojë që ajo pjesë e shqipes, që është arbërishtja, të ruhet në formën e saj më të pastër./euronews/
Rruga Press