Bota

Blinken mbron largimin nga Afganistani, sheh nga e ardhmja

Në një konferencë shtypi të fundvitit, Sekretari i Shtetit Antony Blinken vuri theksin tek aleancat e ripërtërira të Shteteve të Bashkuara jashtë vendit, si dhe trajtoi gjithashtu sfidat e politikës së jashtme, sikurse veprimet e Rusisë pranë Ukrainës dhe krizën humanitare në rritje në Afganistan. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, sjell më shumë detaje.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken u përball me gazetarët për çështje që i takojnë të shkuarës si dhe së ardhmes, pas një viti të rëndësishëm, ndonjëherë të trazuar.

Shumë nga pyetjet u përqëndruan në luftën e vazhdueshme mes Ukrainës dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, si dhe shqetësimeve për një sulm të ri të Moskës, e cila ka dislokuar një numër të madh trupash ushtarake përgjatë kufirit mes dy vendeve. Sekretari Blinken i bëri sërish thirrje Rusisë të ulë tensionet e të tërheqë trupat. Ai tha se Uashingtoni është i gatshëm të zhvillojë bisedime me Moskën dhe me të gjitha palët e interesuara në rajon, me gjasë në muajin janar.

Lexo më shumë  Nuk munguan as goditjet – detaje dhe pamje rreth përplasjes fizike mes deputetëve në Parlamentin e Serbisë

Ne jemi të angazhuar në diplomaci dhe parandalim në të njëjtën kohë. Këto dy gjëra janë të lidhura. Siç e dini, kur Presidenti Biden u takua për herë të parë me Presidentin Putin në Gjenevë, disa muaj më parë, i tha atij se përparësia jonë është për një marrëdhënie më të parashikueshme dhe më të qëndrueshme mes Rusisë dhe Shteteve te Bashkuara, por nëse Rusia vazhdon të angazhohet në veprime të pamatura ose agresive, ne do të përgjigjemi dhe do të përgjigjemi me forcë”.

Sekretari Blinken u pyet gjithashtu nëse ishte zgjënjyer për tërheqjen e nxituar dhe kaotike të Shteteve të Bashkuara nga Afganistani, pasi talibanët morën pushtetin në muajin gusht. Ai tha se me kohë mbi këtë çështje do të reflektohet gjatë, por shtoi se Presidenti Joe Biden e përmbushi premtimin e tij për t’i dhënë fund luftës 20-vjeçare të Shteteve të Bashkuara në Afganistan.

Lexo më shumë  NATO kërkon rritjen e prodhimit të armëve në Ukrainë

Ne e dinim se kjo do të ishte sfiduese dhe ashtu ishte. Nga evakuimi dhe zhvendosja nxorëm mësime për të ardhmen. Por kjo është gjithashtu hera e parë në 20 vjet që asnjë anëtar i trupave ushtarake amerikane nuk po i kalon pushimet e (fundvitit) në Afganistan dhe ne nuk po dërgojmë një brez të tretë ushtarësh që të luftojnë e të vdesin atje”, tha ai.

Sekretari Blinken tha se Shtetet e Bashkuara janë plotësisht të vetëdijshme për vuajtjet e popullit afgan dhe se po punojnë intensivisht me aleatët për të rikthyer likuiditetin në ekonominë e këtij vendi dhe paratë në xhepat e popullit afgan dhe jo në duart e sundimtarëve talebanë./VOA

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *