Thellohet skandali i abuzimit të patronazhistëve, këto të dhëna i kanë vetëm 3 institucione
Jo vetëm të dhënat personale, por skandali i patronazhistëve ka tronditur opinionin me rrjedhën e informacioneve të tjera.
Pagesat, punësimi e të dhënat e mbi 637 punëmarrësve në Republikën e Shqipërisë ka nisur të shpërndahen prej disa ditësh. Këto të dhëna janë nxjerrë nga sistemi shtetëror që prej muajit janar 2021, periudhë kur u nxorën edhe të dhënat e patronazhistëve dhe sot mund t’i disponoj çdokush. Ky është skandali më i madh i abuzimit me të dhënat personale, ndërkohë që Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për të zbuluar përgjegjësit.
Skandali i publikimit të të dhënave personale ka njohur një tjetër fazë. Pas abuzimit me të dhënat personale nga Patronazhistët e Partisë Socialiste, në media eshtë duke qarkulluar një tjetër listë, me emrat, pagat dhe funksionet e 637 mijë shqiptarëve të punësuar në sektorin publik dhe privat.
Ky material, i cili në qarqe të ndryshme po qarkullon me rrjetin Ëhatssap është i ruajtur në formatin eksel dhe përmban të dhëna shumë sensitive të mbi 637 mijë pagamarrësve në Shqipëri, duke nisur nga Presidenti i Republikës dhe përfundon me punonjësin më të fundit në Republikën e Shqipërisë.
Në këtë material, veç ID-së së gjithësecili janë të shënuar atë dhënat personale, vendi i punës, paga dhe pozicioni i punës. Nuk dihet se si ky material tepër konfidencial ka përfunduar në publik, por ky është rasti më i rëndë i keqpërdorimit të të dhënave personale, që duket se ka lidhje me skandalin e patronazhistëve, që u mbrojtën nga kryeministri Edi Rama, si personat që i garantuan atij fitoren në zgjedhje.
Prokuroria e Tiranës ka nisur menjëherë hetimet për këtë skandal, për të gjetur se cili është burimi i informacionit që tashmë është përhapur gjerësisht. Këto të dhëna sensitive zotërohen vetëm nga pak institucione shtetërore, siç janë Drejtoria e Tatimeve, Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore apo edhe AKSHI që menaxhon sistemin e e-Albania.
Tashmë i mbetet prokurorisë për të zbardhur skandalin dhe për të nxjerrë përgjegjësit. Por ajo që bie në sy është fakti se këto të dhëna kanë dalë në të njëjtën periudhë me të dhënat për patronazhistët që u përdorën më pas në fushatë.
Në materialin e shpërndarë me këto të dhëna, shënohet që në kokën e materialit se të dhënat i përkasin pagave të muajit janar 2021 për mbi 637 mijë shqiptarë. Kjo periudhë korrespondon pikërisht me kohën që u shpërnda edhe database për patronazhistët, e që në qarqe të ndryshme mediatike u përmendën edhe këto të dhëna.
Por teksa organizata të ndryshme vendase dhe ndërkombëtare ngritën alarmin për keqpërdorimin e të dhënave personale, kryeministri Edi Rama gjeti justifikimin se edhe më herët kanë dalë të dhëna nga gjendja civile.
E teksa ekzekutivi vijon të justifikojë këtë skandal, i mbetet prokurorisë që të zbardhë abuzimin më të madh të ndodhur ndonjëherë me të dhënat personale. /SYRI
Rruga Press