Lajme

Karantina nuk i ndali aksidentet fatale në punë në Durrës

Dhjetëra raste të aksidenteve në punë u regjistruan në qytetin bregdetar në tre vitet e fundit, ndërkohë që punëdhënësit vazhdojnë të shfrytëzojnë kushtet e vështira ekonomike të punëtorëve dhe mungesën e informacionit nga ana e tyre, duke i shkelur të drejtat.

Edhe pse 2020 ishte një vit pandemie, gushti ishte një muaj me shumë punë për Artën (emri është ndryshuar nga redaksia), e cila punon si ndihmës kuzhiniere në një nga restorantet në plazhin e Durrësit.

Fatkeqësisht, puna u ndërpre në mënyrë të beftë kur ajo pësoi një aksident në kuzhinën e restorantit ku punonte, duke pësuar djegie të shkallës së rëndë në këmbë.

“Di që e pash veten në spitalin e Traumës në Tiranë,” kujtoi 42-vjeçarja nga Durrësi, të cilës iu deshën disa muaj që të rikuperohej.

Arta kishte filluar punë në fund të qershorit 2020, por edhe pse ishte regjistruar në sistemin e Sigurimeve Shoqërore, punëdhënësi nuk i kishte paguar detyrimet.

“Djegia e rëndë në këmbë më kushtoi shumë…dhe nuk përfitova dot asgjë, përveçse ende kam probleme me këmbën,” theksoi ajo.

Rastet e aksidenteve në punë janë të shumta në qytetin bregdetar dhe të dhënat e mbledhura nga BIRN, tregojnë se ato kanë qenë të larta edhe gjatë vitit 2020, kur shumica e bizneseve  ishin të mbyllura për muaj të tërë për shkak të pandemisë së COVID-19.

Sipas Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, ISHPSHSH, nga viti 2019 deri në 6 mujorin e parë të vitit 2021, në Durrës janë kryer 60 inspektime për aksidente në vende pune dhe janë regjistruar 56 punëmarrës të aksidentuar, 9 me pasojë humbje jete dhe 47 të tjerë  të lënduar.

Kur vendi u fut në karantinë për shkak të COVID-19, nga muaji mars deri në fund të muajit maj 2020, në qytetin bregdetar numri i aksidenteve në punë u rrit në krahasim me vitin paraardhës.

“Për vitin 2020 janë kryer 25 inspektime për aksidente në punë, ku punëmarrës të aksidentuar janë 26, me pasojë humbje jete 5 punonjës dhe 21 punëmarrës të lënduar ”, bënë me dije Ardit Shabanaj, kryeinspektor pranë Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore në Durrës.

Aksidentet e rënda me pasojë vdekjen dhe plagosje të rënda ndodhin kryesisht në sektorin e ndërtimit dhe lidhen me shkeljet e rregullave dhe sigurisë në kantiere. Me gjithë numrin e lartë të aksidenteve, pak çështje procedohen penalisht dhe shpesh pushohen nga gjykata.

Për vitin 2020 organi i akuzës në Durrës ka trajtuar 24 çështje që lidhen me aksidentet në punë, me 8 persona nën hetim. Nga këto çështje, për 11 prej tyre është dërguar kërkesë për pushim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe për 1 çështje është dërguar kërkesë për gjykim.

Shkeljet e të drejtave të punëmarrësve në vendin e punës klasifikohen nga avokatët ndër rastet më të shpeshta që hasin në të përditshmen e tyre, por theksojnë se sërish vazhdojnë të mbeten pak të raportuara.

Lexo më shumë  Nisin punimet për ndërtimin e Parkut Industrial në Drenas

Hekurthyes në një kantier ndërtimi | Foto : BIRN/Nensi Bogdani

“Kushtet e vështira socio-ekonomike i detyrojnë një numër të madh punëtorësh që të pranojnë të punojnë pa kontratë, pa kushtet minimale të sigurisë në punë dhe në të njëjtën kohë me paga minimale ose informalisht,” thotë Erisilda Shpata, avokate në Durrës.

“Faktori i dytë po aq i rëndësishëm është mungesa e informacionit rreth të drejtave në vendin e punës”, shtoi ajo.

Sipas avokates Shpata shumë punëmarrës në qytetin bregdetar sigurohen vetëm gjatë sezonit turistik, edhe pse punojnë gjatë gjithë vitit, ndërkohë që mospagesa e pagave, oraret e tejzgjatura dhe kushtet jo të mira të punës, janë disa nga problemet për të cilat kërkojnë asistencë.

“Në pjesën më të madhe rastet e personave që largohen nga puna vijnë para avokatit pa pasur asnjë informacion për të drejtat e tyre,” tha Shpata.

“Në 90% të rasteve pjesa e të punësuarve në sektorin privat nuk kanë as kopjen e kontratës së punës të mbajtur mes tyre e punëdhënësit dhe pasi janë larguar nga vendi i punës nuk kanë as librezën e punës të plotësuar, apo shkresën e ndërprerjes së marrëdhënies së punës,” shtoi ajo.

Arta, ndihmës kuzhinier 42-vjeçarje që u lëndua në Gusht duke punuar në një restorant në zonën e plazhit, i tha BIRN se edhe pse kishte qenë e punësuar gjatë gjithë vitit, siguracionet e saj janë paguar vetëm në periudhën e sezonit turistik.  Ajo nuk mundi të punojë për muaj të tërë pas aksidentit, ndërkohë që mjekimi i ka kushtuar shtrenjtë familjes së saj.

“U interesua im shoq tek sigurimet dhe nuk rezultoja e siguruar para aksidentit, ndonëse unë kisha dy muaj në punë,” kujtoi ajo.

“Pronari më solli 100 mijë lekë (të vjetra) me një kolegen time që erdhi me më pa dhe kaq,” shtoi ajo.

Kur gruaja arriti që të rikuperohej sezoni turistik kishte mbaruar, ndaj pronari e mori në punë me kohë të pjesshme me premtimin se nëse kishte prenotime do të ishte e para që do të punonte.

“Gjatë dimrit me ditë punoja, ndërsa në verë çdo ditë nga mëngjesi në darkë. Paga po njësoj. Po s’kam ku të shkojë, kam tre fëmijë për të rritur”, tha 42-vjeçarja.

Juristët që merren me çështjet e të drejtave në punë, theksojnë se shumë punëdhënës ushtrojnë presion ndaj punëmarrësve që largohen nga puna, në mënyrë që mos ta ndjekin çështjen e tyre nëpërmjet gjykatës.

“Presioni që ushtrohet nga ana e punëdhënësit në momentin e ndërprerjes së marrëdhënies së punës është shumë i madh,” shpjegoi Erisilda Shpata.

“Gratë, kryesisht ato që punojnë në fasoneri apo në struktura hoteleri-turizëm, kërcënohen shpesh herë që të mos e ndjekin procesin në rrugë gjyqësore apo administrative, duke iu premtuar një punësim së shpejti, ose duke i dhënë vetëm një pagë shpërblim”, shtoi ajo.

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Mungesa e zbatimit të kushteve të sigurimit teknik në vendin e punës, lidhet me aksidentet fatale apo plagosjet e rënda, ku viktima janë kryesisht burra dhe djem që punojnë në kompani ndërtimi apo grupe punonjësish në ndërtim.

Aksidentet në punë në qytetin e Durrësit janë regjistruar kryesisht në fabrikat e këpucëve apo në kantieret e ndërtimit. Ato kanë ardhur si pasojë e masave të pamjaftueshme të mara nga ana e punëdhënësit. Por, shifrat tregojnë se për aksidentet e rënda me pasojë humbje jete apo plagosje, përgjegjës nuk ka pasur, pasi nuk kanë dalë përpara drejtësisë për gjykim.  Sipas avokatëve rastet ose nuk denoncohen fare nga punëdhënësit kur janë të lehta, ose dhe kur ndiqen në rrugë ligjore, nuk trajtohen shpesh siç realisht mund të kenë ndodhur.

Eriselda Shpata thotë se në rastet e paraqitura së fundmi për konsulencë, ka vërejtur elementë të veprave penale, të cilat nuk ishin referuar pranë organeve kompetente ashtu siç kishte ndodhur në të vërtetë.

Ajo shpjegoi se një nga rastet për të cilin ka ofruar konsulencë juridike, ka qenë e dëmtuar një grua e cila punonte në një fabrikë prodhimi të materialeve të ndërtimit dhe ka mbetur e lënduar rëndë në këmbë, si pasojë shkëputjes nga makineria e një sasie materiali ndërtimi nga një lartësi.

“E dëmtuara ka marrë ndihmën e parë në spital, por ka deklaruar se aksidenti kish ndodhur  nga një rrëshqitje në vendin e punës,” kujtoi avokatja Shpata.

Punëtorë ndërtimi duke lidhur hekur në një kantier | Foto : BIRN/Nensi Bogdani

Ajo shpjegoi se familjarët e punëmarrëses së lënduar janë shantazhuar, se nëse e referojnë rastin në polici apo gjykatë, do të duhet ta mendonin “sigurinë e jetës së tyre”.

“Të ndodhur në të tilla rrethana familjarët janë tërhequr nga ndjekja e çështjes dhe kanë përfituar vetëm nga shpërblimi si pasojë e aksidentit në punë,” shtoi Shpata.

Tek aksidentet me fatalitete apo aksidentet e rënda problem sipas avokates paraqet edhe legjislacioni.

“Ligji nuk përcakton shprehimisht kompensimet për aksidentet me humbje jetë në vend të punës, duke e lënë në përgjegjësi  të punëdhënësve, të cilët në mënyrë vullnetare mund të vendosin për kompensim, apo në të kundërtën familjes i mbetet që t’i drejtohet gjykatës në mënyrë të pavarur me padi civile” përfundoi ajo.

Shpata gjithashtu theksoi se kallëzimet e pakta dhe kërkesat për pushimin të çështjeve tregojnë hendekun e besimit nga punëmarrësit tek drejtësia.

“Numri i ulët jo vetëm i raportimit në organin e akuzës, por edhe pushimi i akuzës nga ana e këtij organi, në vetvete ngre kambanë alarmi jo vetëm në rast mosraportimin, por edhe për mungesën e një hetimi të plotë e të gjithanshëm nga ana e pushtetit gjyqësor,” përfundoi ajo./reporter.al/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *