Bota

Analiza gjeopolitike/ Rusia dhe Ukraina, lufte apo blof? Pse Putin ka dislokuar ushtrinë në kufi dhe si mund të përfshihet SHBA

Nga George Friedman  

Kur u shemb Bashkimi Sovjetik, e humbi kontrollin e territoreve kufitare perëndimore, të cilat kishin qenë themeli i sigurisë së tij për qindra vite. Ato territore kufitare krijuan një “thellësi strategjike”, që i detyroi pushtuesit të angazhoheshin në fushata ushtarake të gjata dhe rraskapitëse, të cilave Rusia mund t’u bënte ballë.

Rusia ishte sulmuar në shekullin XVII nga suedezët, në shekullin XIX-të nga Franca, dhe 2 herë në shekullin XX-të nga Gjermania. Ajo kishte zhvilluar edhe luftëra kundër Turqisë gjatë shekujve XVIII-XIX. Në vitin 1991, këto rajone kufitare u bënë të pavarura, dhe nga pikëpamja ruse, Perëndimi në përgjithësi, dhe Shtetet e Bashkuara në mënyrë specifike, po synonin të vinin nën kontroll shtetet e sapoformuara.

Dhe kjo përbënte një kërcënim ekzistencial për Rusinë. Në një artikull të mëhershëm, unë kam argumentuar se për të mposhtur një armik, duhet më parë të kuptosh objektivisht se si e sheh veten. Dhe nga ana e saj, Rusia e sheh veten si të pambrojtur, veçanërisht ndaj Perëndimit, ku e kanë historikisht origjinën kërcënimet më të rrezikshme për të.

Bjellorusia dhe Ukraina janë zemra e frikës ruse. Kufiri ukrainas, ndodhet vetëm disa qindra km nga Moska, dhe për këtë arsye përbën një kërcënim i madh kur është në duart e armiqve. Distanca nuk do ta rraskapitë një armik që sulmon prej andej.

Nga pikëpamja e Moskës, mosgatishmëria e Shteteve të Bashkuara për ta njohur këtë frikë të madhe, tregon se Uashingtoni ka plane agresive dhe të rrezikshme. Vlera e vetme e imagjinueshme që kanë për amerikanët Bjellorusia dhe Ukraina, është se ajo e vendosin Rusinë në një pozicion ku ajo duhet të kapitullojë para Shteteve të Bashkuara për të gjitha çështjet jetike, ose të rrezikojë një pushtim të drejtpërdrejtë.

Prandaj Rusia duhet të veprojë. Dhe e ka bërë tashmë këtë gjë në Bjellorusi. Vitin e kaluar, presidenti Aleksandër Llukashenko, fitoi në mënyrë të dyshimtë zgjedhjet presidenciale në vend, të cilat janë kritikuar shumë nga Perëndimi.

Rusët ndërhynë me shpejtësi për të shpëtuar Llukashenkon, dhe tanimë kanë de fakto kontrollin e plotë të Bjellorusisë, duke siguruar kështu Rrafshin e Evropës Veriore, rrugën kryesore të pushtimit nga Evropa drejt Moskës. Kjo lëvizje e shndërron Ukrainën, një shtet shumë më i madh dhe më i rëndësishëm, në fokusin kryesor të Rusisë.

Rusia duket se ka grumbulluar shumë trupa ushtarake përgjatë kufirit me Ukrainën. Nëse synimi është pushtimi i Ukrainës, nuk mjafton vetëm mposhtja e ushtrisë ukrainase, por ushtria ruse mund të pushtojë fizikisht zona kyçe të këtij vendit. Por nëse raportet janë të vërteta, kjo është një lojë e rrezikshme.

Lexo më shumë  Rubla ruse arrin nivelin më të ulët në 32 muaj kundrejt dollarit

Plani i luftës i Rusisë është padyshim sekret. Por qeveria ukrainase ka bërë publike pikëpamjen e saj se si do të ndodhte një pushtim rus. Plani përbëhet nga 3 fronte kryesore sulmi që synojnë ta izolojnë dhe pushtojnë Kievin:në veri nga Bjellorusia, në jug nga Gadishulli i Krimesë, dhe në perëndim nga Volgogradi.

Por kjo strategji ka 3 probleme. I pari është logjistik. Këto forca me shumë divizione do të angazhoheshin në manovra dhe luftime me një intensitet të lartë. Të tria frontet do të duhet që të furnizohen në vijimësi, dhe ndërsa i afrohen Kievit, ato do të merrnin formën e një rrethi. Meqë duhet të supozohet se luftimet intensifikohen me zvogëlimin e avancimit, njëra nga fazat do të kërkonte sasi të madhe të karburanteve.

Faza e dytë do të kërkonte sasi të mëdha municionesh të të gjitha llojeve. Ekziston mundësia e ndërprerjeve të pakoordinuara të përparimit, duke lënë zbuluar krahët e ushtrisë ruse. Problemi i dytë është se kjo strategji do të krijonte një luftë të ndërlikuar, me shumë fronte, dhe të zhvilluar nga trupa që nuk kanë përvojë. Rusët nuk kanë zhvilluar një betejë me kaq shumë divizione që nga Lufta e Dytë Botërore. Ushtria e tyre është kompetente, por asnjë nga komandantët e tyre nuk e ka komanduar në këtë lloj beteje.

Lojërat dhe manovrat luftarake vlejnë në parim, por një forcë e paprovuar nën zjarr, ka nevojë për një strukturë komanduese shumë të sofistikuar. Dhe rusët nuk do ta dinë nëse e kanë një të tillë, derisa ta provojnë këtë në praktikë.

Problemi i tretë janë amerikanët, të cilët nuk do të përpiqen me gjasë të bllokojnë avancimin me trupat e tyre. Koha është thelbësore, por imponimi i “fërkimit” ndaj një armiku është i vlefshëm në vetvete. Për shembull SHBA-ja është në gjendje të transportojë forcat polake, për të krijuar atë fërkim. (Gjithnjë duke supozuar se polakët janë të gatshëm ta bëjnë këtë).

Por nëse do të zgjidhte të dërgonte trupat e veta, SHBA-ja do ta detyronte Rusinë të angazhohej në luftime në shkallë të plotë, sipas një plani për të cilin nuk ishte përgatitur. Por kërcënimi më i rëndësishëm nga amerikanët, do të ishte fuqia ajrore dhe raketore. Objektivat e tyre do të ishin nyjet logjistike.

Lexo më shumë  Konfirmohet përbërja e re – Komisioni i ri i Ursula von der Leyen merr miratimin përfundimtar

Në luftën e blinduar, siç duket që është edhe plani, shkatërrimi i rezervave të karburantit dhe municioneve është i njëjtë me shkatërrimin e tankeve. Rusëve do t’u duhet që ta parandalojnë këtë duke neutralizuar bazat ajrore dhe raketore të SHBA-së, me shumë mundësi në shkallë globale.

Por që ta ndodhë kjo, Rusia duhet që ta përshkallëzonte luftën në statusin e një lufte botërore, dhe në atë pikë rreziqet për Rusinë do të ishin shumë të mëdha. Shtetet e Bashkuara e njohin kërcënimin rus, ose të paktën duan që Rusia të besojë se e ka njohur atë. Deklaratat e presidentit Bajden mbi këtë çështje, nënkuptojnë një nivel shqetësimi, i cili sugjeron se nëse Rusia sulmon Ukrainën, do të kishte një ndërhyrje të SHBA-së.

Nëse Rusia synon që të pushtojë Ukrainën, do të nevojiten disa ndryshime. Por të realizuar një të tillë, ajo mund të ketë nevojë vetëm për aneksimin e një pjese të Ukrainës në lindje ose në veri. E interesuar të shmangë një luftë në mesin e Euroazisë, kur kërcënimi është i parëndësishëm, SHBA-ja ka të ngjarë të kundërpërgjigjet vetëm me sanksione.

Rusia mund ta përballojë këtë duke kërcënuar me zgjerimin e pushtimit, por pa e kryer këtë të fundit. Kjo e ndryshon dinamikën politike nëse Evropa, e paaftë për të ngritur vetë një linjë mbrojtëse, do të zgjedhë të zbusë tonet me Rusinë.Sigurisht, i gjithë kërcënimi mund të jetë thjesht një përpjekje për të testuar Bajdenin.

Gjatë Luftës së Ftohtë, testimi i presidentit të ri të SHBA-së, ishte një rutinë e sovjetikëve. Por bërja e këtij testi sot, mund të shihet si një veprimtari me rrezikshmëri të ulët, dhe me përfitime të mëdha. Në fakt, ka shumë kundër argumente mbi pikëpamjen time, se një pushtim i plotë i Ukrainës është shumë kompleks dhe i rrezikshëm për t’u ndërmarrë.

Rusët nuk kanë luksin të përballojnë një humbje, në përpjekjen e tyre për të siguruar Ukrainën në realitetin aktual gjeopolitik. Ata kanë kohë për të lëvizur. Por kjo vetëm nëse Putin, që është i interesuar të ri-caktojë kufirin, është i përgatitur të rrezikojë për hir të lavdisë personale. Ndoshta kjo mund të jetë e vërtetë, por njerëzit e KGB-së janë të trajnuar të jenë të kujdesshëm. Basti im është se ky është një bllof. Por gjithsesi për këtë çështje, unë nuk do të vija në bast shtëpinë time. / “Geopolitical Futures” – Bota.al

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *