Kosova e Shqipëria nënshkruajnë marrëveshjen për abetaren e përbashkët
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, ka nënshkruar marrëveshjen me homologen e saj nga Shqipëria për abetaren e përbashkët.
Nagavci deklaroi se bashkëpunimet në fushën e arsimit, shkencës e kulturës janë të domosdoshme, duke përmendur se është e lumtur që abetarja do të përdorët nga fëmijët e Kosovës dhe të Shqipërisë.
E ministrja e Shqipërisë, Evis Kushi, deklaroi se dy vendeve u nevojitet një abetare e re pasi kanë ndërruar metodat dhe janë zhvilluar teknologjitë.
“Mezi kam pritur vizitën në Kosovë. Nuk e kisha menduar qe vizita ime e parë në Prishtinë, do të ishte për një moment kaq të rëndësishëm, siç është nënshkrimi për abetaren e përbashkët. Nuk është hera e parë që bashkëpunojmë me kaq dashuri me njëri-tjetrin. Po në nëntor promovuam një punë disavjeçare për librin lexues për diasporën shqiptare. I vlerësoj të gjitha përpjekjet e kaluara për Abetare. Por tash na nevojitet një Abetare e re, sepse kanë ndërruar metodat, janë zhvilluar teknologjitë”, deklaroi ajo.
Kushi falënderoi grupin punues që e kanë finalizuar këtë marrëveshjes.
“Është përgjegjësi e përbashkët të organizojmë një konkurs transparent që fëmijët tanë vitin e ardhshëm fëmijët ta kenë një abetare të përbashkët”, u shpreh tutje.
Rruga Press